Geri Nevil, ish-futbollisti i Mançester Junajtid, komenton garën e ashpër për titullin kampion në Angli. Tashmë ne pozicionin e specialisti të futbollit në “Sky Sport”, ai shprehet se lojtarët e Liverpulit po ndjejnë presionin dhe kjo është e dukshme.
Anglezi thekson se kjo nuk duhet të ndodhë dhe se të gjithë lojtarët e “The Reds” duhet të shohin përpara dhe të mos i japin justifikim askujt për presionin që kanë. “Fansat kanë të drejtë që të jenë të mërzitur me ekipin e tyre dhe Liverpuli tashmë po e ndjen presionin që ka nga skuadrat e tjera. Gjithsesi, kjo është diçka e zakonshme”, tha fillimisht Nevil.
Më tej ai shtoi: “Kur nuk ke fituar një titull prej një kohë të gjatë dhe lë pikë mbrapa, ti përballesh me polemika dhe e ndjen presionin. Është ndryshe kur ti ke fituar një titull ose dy dhe lëshon pikë. Të gjithë janë të vetëkënaqur në ekip”.
“Pas barazimit kundër Uest Hemit, lojtarët u përballën me pyetje të tipit: ‘A po e ndjeni presionin?’. Ata padyshim që e kanë marrë këtë si një qortim pas dy barazimeve radhazi dhe kjo ishte e dukshme. Këto pyetje me të vërtetë që të bezdisin, por kurrë nuk duhet ta tregoni apo ta shfaqni. Ata kanë humbur shumë pikë në garën për titull duke e bërë këtë. Vetëm duhet të lëvizin përpara dhe të mos i japin asnjërit asnjë shkak për të menduar që presioni është mbi ta”, përfundoi Nevil.