Nesër do të jetë momenti kur Superiorja do të zërë sërish vendin e saj në fushë, ndërsa të gjitha takimet do të luhen në të njëjtën ditë. Mbrëmja është e rezervuar për përballjen mes Partizanit dhe Skënderbeut në kryeqytet, ku të dyja ekipet do të synojnë të marrin më të mirën. Futbollisti i korçarëve, Bruno Dita, dëshiron që në duelin e nesërm të vijojnë atë ecuri pozitive që ekipi pati para ndërprerjes. Në një prononcim për “Supersport”, Dita shprehet se shpreson që skuadra të kapë sërish ritmin, ndërsa besimi te vetja nuk i mungon.
“Shpresoj që të mos kemi dëmtime dhe të kapim ritmin që kishin para pandemisë, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Partizani? Shpresoj të jemi në ritmin e duhur, jo thjesht sa i përket lojës, por me tripikëshin. E mbyllëm 2020 me pesë fitore rresht, kemi ndalur edhe Tiranën në kryeqytet, një ekip që është për kampion. Do të bëjmë mirë, jemi besim te vetja”, ka thënë Bruno Dita./Halit Delibashi-Sport Ekspres/