Strategjia e Federatës Shqiptare të Futbollit për zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe futbollit të femrave ka qenë një nga temat e trajtuara në emisionin “Opinion” në TV Klan këtë të enjte. Pjesë e kësaj specialeje ka qenë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka folur për projektet e ndërmarra nga Federata, që kanë në fokus zhvillimin e fëmijëve dhe futbollit të femrave, si dy nga prioritetet e vendosura nga Federata e Futbollit.
Kreu i qeverisë së futbollit në Shqipëri ka folur mbi këto projekte, ku ka shpjeguar rëndësinë e tyre dhe mënyrën se si këto po zhvillohen në Shqipëri, me mbështetjen e Federatës së Futbollit.
Si fillim, Presidenti Duka ka folur për një nga prioritetet kryesore, që është futbolli i fëmijëve dhe projektin Grow, që konsiston në zhvillimin e futbollit në shkollat fillore gjatë orëve të edukimit fizik.
“Futbolli i fëmijëve është një nga prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Jo thjesht sepse ky është një slogan në përgjithësi që, fëmijët janë e ardhmja, por është një strategji konkrete e Federatës për të siguruar vazhdimësinë dhe jo vetëm vazhdimësinë profesioniste të futbollit, por edhe masivizimin e tij, duke e konsideruar futbollin si një edukim për brezin e ri. Për t’i hequr fëmijët nga rruga, për t’i bërë ato sa më të shëndetshëm, për t’i bërë ata sportivë dhe pse jo, nga gjithë ky masivizim të dalin edhe futbollistë profesionistë, talente, të cilët do të mund të ndikojnë dhe të rregullojnë të ardhmen e tyre dhe ekonominë e vendit. Nuk është thjesht një slogan por një strategji konkrete.
Dhe për të pasur sa më shumë fëmijë, Federata ka disa projekte konkrete. Një nga këto projekte është projekti Grow i cili ka filluar rreth dy vite më parë dhe konsiston në kthimin e orëve të edukimit fizik në shkolla në orë futbolli, dy herë në javë, vajza dhe djem. Federata e Futbollit ka licencuar mësuesit e edukimit fizik me licencën, UEFA C, që do të thotë janë të aftë të japin mësimet fillestare dhe t’i bëjnë atraktive për fëmijët. Në të janë të përfshirë rreth 20 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë në mbi 280 shkolla në të gjithë vendin, projekt i cili vazhdon dhe është për fëmijët e moshave të vogla. Është një projekt që ka qëllime masivizimi, për të afruar sa më shumë fëmijë, vajza dhe djem, kryesisht ne insistojmë te vajzat”, – u shpreh presidenti Duka.
Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për projektin e zhvillimit të talenteve, një projekt i ndërmarrë në bashkëpunim me FIFA-n, që konsiston në ndjekjen dhe zhvillimin e talenteve të reja në futboll në të gjithë vendin.
“Një projekt tjetër i iniciuar nga Federata është edhe projekti i zhvillimit të talenteve në bashkëpunim me FIFA-n, mënyra se si ne duhet t’i ndjekim gjithë talentet dhe kjo më shumë i shërben futbollit profesionist, për t’i peshkuar, për t’i seleksionuar, për t’i kuruar, për t’i ndjekur gjatë gjithë kohës, mënyra se si ne do t’i ndjekim, por edhe për t’i rritur, për t’i zhvilluar, për t’i bërë ata futbollistë profesionistë. Kjo nuk është diçka e nisur tani, pra ndjekja dhe zhvillimi i talenteve. Projekti konsiston në mënyrë më profesionale të ndihmës së tyre.
Nëse një talent në çdo cep të vendit, pikaset nga specialistët, ta ndihmojmë atë në të gjitha nevojat që ka talenti, jo thjesht vetëm sportive, por çdo gjë që ka nevojë ai për ta edukuar në radhë të parë si njeri dhe për ta rritur nga pikëpamja edukative dhe sportive. Se nëse nuk kemi një njeri të edukuar mirë, apo të rritur mirë nga të gjitha këndvështrimet, nuk mund të kemi një sportist të mirë. Këtu konsiston ky projekt që në mënyrë profesionale, ne ta ndjekim dhe ta rrisim talentin. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e kemi bërë deri tani. Rezultatet e këtyre projekteve, qoftë të projektit Grow, qoftë e talenteve, apo Disney kuptohet që janë afatgjatë dhe duhet të presim disa kohë, me vite derisa këto talente të rriten”, – theksoi Duka.
Një projekt tjetër i ndërmarrë në bashkëpunim me UEFA-n është “PlayMaker”. Edhe ky projekt konsiston në familjarizimin e fëmijëve me futbollin, përmes figurave të Disney-t. “Ne kemi edhe projekte të tjera në bashkëpunim me UEFA-n. Një projekt që fëmijët i përafron me lodrat e tyre, Disney është emëruar ky projekt nga UEFA, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera të Europës. Edhe ky projekt ka qëllim që të afrojë sa më shumë fëmijë”, – vijoi ai.
Presidenti Duka foli edhe për projektin e kampionatit të shkollave 9-vjeçare në vend, përmes të cilit synohet të rritet numri i femrave që luajnë futboll. “Një projekt tjetër është kampionati i shkollave 9-vjeçare në Shqipëri, që do të zhvillohet këtë vit në të gjithë vendin, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, e kudo dhe qëllimi kryesor është zhvillimi i futbollit të femrave. Prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit në këtë kohë janë futbolli i fëmijëve, e ardhmja e tyre dhe kryesisht gjinia femërore”, – shtoi Duka.
Ndërkaq, presidenti Duka theksoi se të gjitha këto projekte mbështeten nga Federata e Futbollit jo vetëm me bazë materiale por edhe përmes incentivave të ndryshme dhe pagesave që u jepen mësuesve të edukimit fizik që ndërtojnë ekipe futbolli.
“Në të gjitha projektet ne mbështesim jo vetëm me bazë materiale, por trajnojmë të gjithë mësuesit e edukimit fizik dhe ato që merren me to. Përveç tyre kemi edhe incentiva apo pagesa për mësuesit e edukimit fizik që ndërtojnë ekipe apo që edukojnë brezat e rinj për futboll”, – tha presidenti.
Në përfundim, Duka u shpreh se këto projekte, për t’u realizuar kanë nevojë për infrastrukturë sa më të mirë, e cila mund të arrihet përmes bashkëpunimit të dy pushteteve, qendror dhe vendor si dhe me bashkëpunimin e Federatës së Futbollit, e cila është gjithmonë gati.
“Të gjitha këto do ishin pa rezultat nëse nuk do mbështeten me ndryshimin e infrastrukturës sportive në vend. Dhe kjo është e pamjaftueshme që ndryshimin e kësaj infrastrukture ta bëjë Federata e Futbollit. Të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të kontribuojnë për të pasur një infrastrukturë akoma më të mirë. Ne jemi dëshmitarë të gjithë infrastrukturës sportive që ekziston në Europën Perëndimore dhe sa e mangët është te ne. Të gjitha projektet do të ishin të pamjaftueshme nëse nuk do të kishte një mbështetje të të gjithë pushtetit qendror e vendor dhe e jona, për ta ndryshuar jo vetëm nga pikëpamja kualitative por për të rritur inventarin e tyre”, – përfundoi presidenti Duka.