Zhoze Murinjo ka folur për mikrofonin e “DAZN“-it pas humbjes 3-1 kundër Atalantës. Trajneri i Romës është ndjerë i kënaqur me atë çfarë shfaqi ekipi i tij në fushë, i cili mbrëmjen e sotme vuajti edhe dy dëmtime të rëndësishme. Lidhur me çështjen e lëndimeve në prag të sfidës me Milanin, e cila do të luhet të shtunën, Murinjo ka thënë se është i gatshëm të hyjë edhe vetë në fushë nëse do të ishte e mundur.
“Jam i kënaqur me lojtarët e mi. Nëse të shtunën duhet të luaj unë, atëherë do të luaj unë, nuk ka problem. E jona është një skuadër e bashkuar që në vështirësi është gjithmonë bashkë. Mendoj që edhe tifozët janë krenarë për ekipin. E përfunduam ndeshjen me 9 (lojtarë), duke goditur shtyllën. Për mua është shumë e vështirë të jem kritik me lojtarët e mi”, ka deklaruar Zhoze Murinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/