Kastrioti ka arritur që të fitojë ndaj Egnatias në shifrat 1-0. Krutanët ishin më kërkues në portën kundërshtare për ta fituar me patjetër këtë takim, duke parë edhe gjendjen e tyre me vendin e fundit të kampionatit.
Spartak Ajazi arriti që të realizonte nga një goditje standarte, për t’i dhënë tre pikëshin krutanëve. Cyrbja kërkoi barazimin në minutat e fundit, por portieri i Kastriotit arriti që të shpëtonte portën. Pas kësaj përballje, Egnatia ndodhet në një situatë të vështirë, ndryshe nga fillimi i kampionatit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Ndreu: “Ne kemi pasur shumë mungesa në ndeshjet e fundit, jo për justifikim. Ndërsa rezervat tona nuk i kanë kapacitet e duhura dhe nuk kemi nivel kundër ekipeve si Tirana, Partizani. Ishte e rëndësishme që të fitonim sot në një përballje direkte me Egnatian. Nëse do të humbisnim apo barazonim, atëherë do të largoheshim shumë. Ajazi u shpërblye me gol dhe është vërtet mirë. Ne kemi hasur vështirësi për të shtyrë topin në rrjetë. Do të marrim nga një lojtar për repart në merkaton e janarit. Duhet t’i kemi në nivel më të mirë se këta që janë që të mos kemi frikë në fund të kampionatit”.