Nëntori “i shenjtë” shqiptar. A besoni në mrekulli?

Nëse marsi ose shtatori konsiderohen si muajt prologë të nisjes së një fushate të re eliminatoresh për ekipin Kombëtar A, nëntori është kthyer vitet e fundit në muajin epilog, aty ku mund të vendoset dhe mund të mbyllet gjithçka… një derë që qëndron e hapur, gjysmë e hapur ose ku mund t’i thuhet lamtumirë një edicioni.

Më shumë ndoshta se në sfidat e para, ku lojtarët hynë në fushë për të nisur mbarë një fazë kualifikuesesh, në këtë muaj luftohet më shumë, ku në çdo ndeshje luhet “all in” pasi nuk ka asgjë për të humbur. Më i rëndësishëm tre pikëshi sesa loja e mirë po aq sa ç’është më i rëndësishëm goli i fitores sesa kartoni, i verdhë, apo qoftë ai edhe i kuq. Më pak të rëndësishme fjalët, por shumë më shumë veprat në fushë. Një muaj ku emocionet mbërthejnë jo vetëm ata të cilët luajnë për çdo shqiptar, por edhe vetë tifozët, edhe ata të cilët ndoshta janë mërzitur se pse shanset janë të pakta për të kapur vendin e dytë në grup.

Por, nëse e marrim me radhë, gjithçka nis më 2 nëntor me Kombëtaren e 17 vjeçarëve, të drejtuar nga tekniku shqiptar Ervin Bulku, njëkohësisht edhe zëvendës trajner i Kombëtares A, të cilët në fakt përmbyllin një fushatë eliminatoresh. Nuk nisën mirë këto kualifikuese për kuqezinjtë e vegjël, të cilët kanë zhvilluar dy ndeshje në kualifikueset e vlefshme për Kampionatin Europian 2022 dhe ndeshjen e fundit e kanë kundër Irlandës së Veriut. E megjithatë, që nga emërimi si trajner i këtij ekipi, trajneri Bulku ka pasur mundësinë të zhvillojë disa seleksionime, grumbullime dhe ndeshje miqësore, duke pikasur elementë të rinj, të cilët pa dyshim do të kthehen në potenciale të sigurta për Kombëtaren A.A-ja. Në fakt gjithçka nis nga A-ja.  Një humbje me Poloninë në “Air Albania” ka zbehur shanset për të zënë vendin e dytë në grupin I dhe për të arritur fazën play-off. Për tifozët ndoshta po, por për ekipin jo. “Do you believe in miracles?”- që përkthehet në shqip “A besoni në mrekulli?” duhet të jetë dixhitura e çdo fotoje kuqezi, duhet të jetë në çdo bisedë kur flitet për Kombëtaren, duhet të jetë në ëndrrat e të gjithëve.

Një “Wembley” i madh, mund të kthehet në mjaft të vogël për Kombëtaren e madhe më 12 nëntor. Gjithçka për këtë fushatë emocionuese kualifikuesesh do të përmbyllet në Shqipëri, në ndeshjen e fundit që Kombëtarja do të luajë kundër Andorrës më 15 nëntor, pikërisht me ekipin që e nisi me fitore në transfertë.

Në 6 ditë, që prej 10 nëntorit e deri më 16 nëntor do të kemi mundësinë të shijojmë 7 ndeshje, ndoshta si rrallë herë më parë. Mes këtyre ditëve luhen ndeshje mjaft interesante, duke nisur që më 10 nëntor me super sfidën Francë – Shqipëri për nën 19 vjeçarët e Armando Cungut. Ndeshjet e fazës kualifikuese të grupit 7, të vlefshme për Kampionatin Europian 2022 do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, me besimin që qeveria e futbollit europian UEFA i ka dhënë sërish FSHF-së për të organizuar evente të tilla.

Ndeshja kundër “gjelave” është ndoshta sfida më interesante e grupit, teksa më 13 nëntor do të luajnë kundër Serbisë e me 16 nëntor, kuqezinjtë e përmbyllin këtë fazë kualifikuesesh ndaj Maqedonisë së Veriut. Ashtu sikurse Bulku, edhe Cungu ka zhvilluar jo vetëm seleksionime e grumbullime, por edhe disa ndeshje miqësore përgjatë këtij viti, ku për shkak të pandemisë, nuk ka pasur mundësinë të ketë gjithmonë bashkë lojtarët që luajnë brenda vendit dhe ata që aktivizohen jashtë. Pavarësisht kësaj, Cungu ka pranuar se elementet nuk mungojnë dhe sigurisht që këtë do e tregojë koha, që duket e mirë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare.

Shpresat si shpresë për kuqezinjtë e mëdhenj do të luajnë dy ndeshje në transfertë ndaj Sllovenisë dhe Kosovës. Të besuarit e Bushit vijnë pas dy fitoreve të mëdha në muajin tetor kundër sllovenëve dhe Andorrës. E sikur të mos mjaftonin 6 pikët e arta, të cilat i kanë ngjitur kuqezinjtë në vendin e dytë me 9 pikë, tre më pak se Republika Çeke e vendit të parë, ekipi dhuroi edhe një lojë të bukur për të gjithë tifozët e Kombëtares. 4 gola, grintë dhe pasion ishte ajo çka të gjithë pamë në këto dy sfida. Kapiteni Bushi kërkon që ta drejtojë ekuipazhin e tij sërish drejt dy fitoreve, që nuk do të jenë të lehta, por ky ekip i Shpresave ngjall shpresë dhe ka treguar disa herë se si fitohet. Të gjithë presin ta shikojnë edhe këtë herë.

Femrat rikthehen të luajnë ndeshjet e tyre në fundin e nëntorit, ku presin në Shqipëri më 25 nëntor Norvegjinë kryesuese ndërsa më 30 nëntor luajnë ndaj Kosovës në transfertë. Një grup i fortë për vajzat kuqezi, të cilat megjithatë deri më tani kanë treguar karakter dhe cilësi në lojë. “Të mundohemi të bëjmë diçka të bukur në këtë grup eliminator, ndonëse kemi përballë skuadra shumë të forta që janë elita e futbollit të femrave në Europë” – u shpreh trajneri Armir Grima në një prononcim për fshf.org pas fitores historike me manita kundër Armenisë në stadiumin “Air Albania”.

Gjithçka mbetet për t’u parë, për t’u shijuar dhe sigurisht, për t’u gëzuar. Gjithmonë e më shumë, ekipet tona kombëtare janë kthyer në dritaren kryesore përmes të cilave arrijmë të shohim Europën… Shqipëria e futbollit, Shqipëria e gjithkujt!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *