Nëntë sulmues në listë dhe ende ka pakënaqësi, “dhimbje koke” nga reparti që kurrë nuk do e kishim përfytyruar

Nëse do të dëgjonim se do të vinte një ditë kur trajneri i Kombëtares shqiptare do të kishte dilemën më të madhe përzgjedhjen e sulmuesve, me siguri nuk do ta besonim. Dikur reparti i avancuar ishte i fundit për të cilin duhej të mendoheshim gjatë, pasi numri i sulmuesëve që luanin në nivel të lartë dhe gëzonin një formë të mirë numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Por kohët ndryshojnë e në futboll befasia është gjithmonë e pranishme.

Sot Shqipëria është e kualifikuar në Europian, në një grup ku askush do të donte ta degëdisnin goglat. Me Italinë, Spanjën e Kroacinë që na presin në qershor, çuditërisht tema nuk e dikutimit nuk janë mbrojtësit që duhet të marrim me vete në Gjermani. Përkundrazi, vëmendja është kthyer e gjitha përpara, drejt sulmit, atje nga vijnë edhe golat.

Silvinjo publikoi sot listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për miqësoret e muajit mars dhe si rrallë herë në të lexoheshin jo pak, por 9 emra sulmuesish. Dikur një dyndje të tillë sulmuesish në Kombëtare do ta konsideronim një çmenduri aventureske, por sot është një realitet që nuk i bën përshtypje shumëkujt. Madje, kanë nisur pakënaqësitë. “Po Daku dhe Muja, ku janë”? Është pikërisht kjo pyetja e shtruar nga shumë tifozë ditën e sotme. Një kureshtje me doza habie tërësisht e kuptueshme, duke ditur kontributin e dhënë prej tyre në ndeshjet më vendimtare të fushatës kualifikuese të Kombëtares kuqezi.

Një pyetje që me siguri edhe Silvinjo e stafi i tij duhet t’ja kenë bërë vetes, por rregullat janë rregulla dhe në listë mund të thërriten vetëm 26 lojtarë. E si për të mos mjaftuar një formacion i tërë sulmuesisht që priten të zgjidhen, prurjeve në vijën e parë të lojës mund t’i shtohen edhe emra të tjerë që deri në qershor kanë kohën e mjaftueshme për të shkëlqyer e për të joshur Silvinjon. Djersët e sikletit për trajnerin e Kombëtares ende nuk kanë filluar…/Sport Ekspres/