Në Zvicër janë të çuditshëm, Behramin nuk e marrin ndaj ekipit kampion: Fusha artificiale!

Klubi i Sionit ka vendosur t’a lërë jashtë ndeshjes me një kundërshtar si Young Boys futbollistin Valon Behrami. Megjithëse ky i fundit u afrua me bujë te zvicerianët, nuk ka luajtur shumë me ekipin, madje në ndeshjen e fundit që u aktivizua ndaj St. Gallen, skuadra e tij mori humbje pas 5 fitoreve rresht dhe tifozët mbetën totalisht të pakënaqur me lojtarin shqiptar.

Presidenti i Sion-it ka thënë se nuk e fajëson Behramin për humbjen pasi asnjëherë nuk mund të humbasësh një ndeshje vetëm për shkak të një lojtari. Por megjithëse i heq gjithë peshën e fajit që tifozët i vendosën mbi shpinë mesfushorit, një vendim i çuditshëm vjen nga ana e klubit, që e lë jashtë ndeshjes së radhës ndaj Young Boys, me arsyetimin se i frikësohen një dëmtimi të mundshëm.E nëse përforcimet nuk hidhen në fushë ndaj kundërshtarëve më të fortë, atëherë për çfarë nevojiten?

“Tifozët kanë një pritshmëri të caktuar, ata duan të shohin një Behrami në formë dhe këtë nuk e panë në ndeshjen e fundit. I kuptoj tifozët dhe kur ekipi yt humb në shtëpi, ata kanë të drejtë të jenë të zemëruar, por me të 14 lojtarët që luajtën, jo me një individ. Ne nuk do e lëmë atë të vrapojë për shkak të një rreziku dëmtimi në një terren artificial, ashtu si në Thun dhe Neuchatel. Do të shohim pas ndeshjes në Bern, por ne patjetër që do të na duhet Valoni”, është shprehur presidenti Constantin./Sport Ekspres/