Në Zvicër e pyesin nëse është penduar, Amir Abrashi: Vendimi për të luajtur me Shqipërinë ishte më i miri i karrierës sime

Amir Abrashi ka rrëmbyer gjithmonë dashurinë e tifozëve me mënyrën sesi luan në fushën e blertë. Një lojtar që nuk del pas 90 minutave pa e djersitur mirë fanellën. Pikërisht ai lloj futbollisti që mungon shumë, sidomos në këto kohëra të futbollit që gjithmonë e më tepër po humb ndjenjën dhe po i kthehet biznesit.

Në një intervistë të fundit për median zvicerane “20min.ch”, Abrashi shprehet se dëshira e tij më e madhe është që të luajë një tjetër Europian me Shqipërinë. “Të luash një tjetër kampionat evropian do të ishte mirë. Në herën e parë që shkuam në Francë të 2016, ne u pritëm si heronj në shtëpi. Emocionet që përjetuam në vend pas kualifikimit historik ishin thjesht të pabesueshme. Nuk do ta harroj kurrë këtë ndjenjë. Duhet ta përjetosh për ta kuptuar”, tha Abrashi.

I pyetur nëse është penduar se la Zvicrën për Shqipërinë, Abrashi e sheh ndryshe: “Në pozicionin tim luanin lojtarë si Behrami apo Dzemaili, tani është Freuler, Xhaka apo Zakaria. Duke parë prapa, mendoj se vendimi im për Shqipërinë ishte më i miri i karrierës sime. Unë i qëndroj asaj. Si ndihem më tepër? Kam disiplinën e një zvicerani dhe mentalitetin e një shqiptari (qesh). E dua Zvicrën, i detyrohem shumë këtij vendi dhe futbollit këtu. Do të thoja jam 60% shqiptar dhe 40% zviceran”, përfundoi Abrashi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *