Përparim Daiu ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Magazine”, të transmetuar në “Ora News“ dhe të moderuar nga Drilon Xhepollari. Ish-futbollisti shqiptar analizon klubet e “Abissnet Superiores“, ku ndër të tjera ndalet te lu.fta për mbijetesë e këtij sezoni, si dhe te derbi i javës së ardhshme mes Tiranës dhe Partizanit.
“Aty (për mbijetesë) do të lu.ftojnë Skënderbeu, Kastrioti, Egnatia, bashkë me Dinamon. I shoh akoma, nuk kanë bërë shkëputjen. Pa përjashtuar Teutën, me një hap fals në Rrogozhinë besoj edhe Teuta do të jetë në këtë vorbull.
Akoma nuk është vonë. Kënaqësia e Partizanit nuk është vendi i 5. Një kënaqësi më e madhe është se vjen në derbin me Tiranën në një formë më të mirë, një entuziasëm në ekip. Por gjithmonë me këmbë në tokë dhe kjo përballje do tregojë shumë për ecurinë e Partizanit. Xhunior e ka provuar, Bitri e ka provuar, Hoxha e ka provuar fitoren ndaj Tiranës, sepse kanë vite te Partizani. Por jo të gjithë e kanë provuar këtë shije, sepse Tirana ka fituar dy herë dhe padyshim është e favorizuar. Derbi mbetet gjithmonë derbi, mbetet për tu fituar dhe jo për tu luajtur. Tirana është një kockë e fortë dhe ka treguar që është ekipi për tu mundur.
Shoh komandën e Shehit. Përçon qetësi te ekipi. Tirana ka lojtarë mjaft cilësor, ka një bosht të sigurt që nga porta e deri te sulmi, që është sulmi më frikshëm dhe më i mirë. Prandaj Tirana në kualitete bën diferencën. Por nuk janë gjithmonë këto kualitete që vendosin. Aq më shumë në një ndeshje derbi, që vendoset nga episodet, nga gjenda emocionale e interpretimit të lojës. Partizanit nuk i mungon as dëshira e as egoja, aq më shumë për të plotësuar një boshllëk në rezultate, një boshllëk në renditjen e tabelës“, ka thënë Përparim Daiu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/