Në Vlorë priten rinovime të tjera, fiksim mbetet Alimi

Flamurtari nuk heq dorë nga organizatori i Shkëndijës së Tetovës. Kuqezinjtë kërkojnë të mbajnë në ekip edhe Siljanovksin dhe Pollozhanin

Elton Nika

Flamurtari insiston për Armend Alimin, mesfushorin e Shkëndijës së Tetovës. “Sport Ekspres” e ka raportuar prej ditësh interesimin e vlonjatëve për 30-vjeçarin, fitues i Kupës dhe kampionatit me tetovarët në Maqedoni. Por tashmë duket se ky interesim është rritur ndjeshëm, sidomos pas largimit të Muarem Muarem drejt Shkupit. Afrimi i Alimit konsiderohet padyshim mjaft i rëndësishëm tek Flamurtari dhe në mes është futur Jeton Beqiri, i cili sezonin e fundit ishte krahu i djathtë i Shpëtim Duros. Mesfushori thjesht duhet të ndërrojë emrin e skuadrës, por jo ngjyrat. Alimi cilësohet si një lojtar me  mjaft cilësi dhe në Vlorë e duan për të organizuar sulmet kuqezi sezonin e ardhshëm.

Mësohet se lojtarit i ka mbërritur oferta e parë nga ana e skuadrës vlonjate, por aktualisht nuk ka ende një firmë në kontratë. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia nuk është kundër një transferimi në Superiore, për sa kohë ende nuk ka rinovuar me Shkëndijën, ku vjet spikati, duke luajtur në 33 ndeshje si titullar. Gjithashtu ai ka treguar se ka një marrëdhënie të mirë me golin, pasi ka gjetur shtatë herë rrugën e rrjetës në kampionat vitin e shkuar. Në ditët në vijim pritet të mësohet më shumë në lidhje me tratativat e Flamurtarit me Alimin. Drejtuesit e klubit e vlerësojnë lojtarin, por tashmë u duhet ta bindin për ta transferuar në Vlorë.  

RINOVIMET

Artim Pollozhani e Goran Siljanovski pritet të rinovojnë sërish me Flamurtarin. Janë pikërisht këta lojtarët që pritet të hedhin firmën në kontratë pas Useinit e Mustës madje e kanë shprehur dëshirën se duan të vijojnë të qëndrojnë në Vlorë. Portieri Nurkoviç është ai që nuk ka gjetur akordin me drejtuesit, të cilët e kanë në plane portierin boshnjak, i cili zotëron edhe pasaportën e Kosovës, madje edhe ka luajtur për këtë përfaqësuese. Shkak janë termat financiarë dhe portieri mund të quhet thuajse i larguar nga Vlora. Për këtë arsye vlonjatët po kërkojnë për një portier, edhe pse në skuadër kanë dy të rinj të talentuar si Sali dhe Qirko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *