Rifillimi pritet të jetë i vështirë për lojtarët, të cilët do të luajnë pas një periudhe 2 mujore pushim, që është një kohë vërtet e gjatë për një sportist. Të gjithë janë në një mendim se një kohë prej 2-3 javë stërvitje është e nevojshme për të sjellë në formë futbollistët. Por Departamenti i Mjekësisë në Federatën spanjolle ka këshilluar të gjitha klubet të zhvillojnë takime miqësore, në mënyrë që të arrijnë formën e dëshiruar dhe të mbrojnë lojtarët e tyre. Një praktikë e tillë ndiqet edhe në parapërgatitjet për sezonin e ri, por që në këto kushte aspak normale sugjerohet të përdoret edhe për rifillimin e kampionatit të lënë përgjysmë.
Më tej theksohet se futbollistët duhet të luajnë për maksimumi 45 minuta në takimin e parë miqësore. Dy ditë pas ndeshjes ata lojtarë që janë aktivizuar për më tepër se 40 minuta duhet të stërviten me më pak intensitet. Pasi të zhvillohen 3 javë përgatitje dhe të rinisë sezoni, atëherë skuadrat duhet të stërviten si nën rrethana normale. Një tjetër këshillë nga RFEF është edhe ndalesa e shkurtër e lojës, që mund të zënë vend nga minuta e 30 deri në të 75-tën. Një gjë e tillë të zbatohet për të paktën 5 ndeshet e para, pavarësisht se në çfarë vlerash janë temperaturat./Halit Delibashi-Sport Ekspres/