Lajmi i ditës sot mund të konsiderohet largimi u Julian Ahmatajt nga Kamza, sepse deri dje konfirmimi i tij ishte diçka e kryer.
Megjithatë, në paraditen e sotme ka ardhur njoftimi i trajnerit që ka siguruar mbijetesën dhe Kamza nuk dha asnjë shpjegim.
Shpjegimin e ka dhënë Supersporti, që zbulon të vërtetën e largimit misterioz.
Shkaku që drejtuesit e Kamzës vendosën të mbyllnin bashkëpunimin me trajnerin ishte udhëtimi i këtij të fundit drejt Korçës për të festuar me familjen ditëlindjen e 39-të. Gjithçka një rastësi, në mbrëmjen ku Skënderbeu po festonte titullin e tetë kampion.
Edhe këtu gjithçka normale, ashtu sikurse edhe ftesa e drejtuesve dhe lojtarëve të klubit korçar që Ahmataj t’i bashkohej për disa momente festës së tyre. Si një ish-lojtar me emër në Shqipëri, por edhe mik i një pjese të konsiderueshme të stafit dhe lojtarëve të korçarëve, Ahmataj nuk mund të refuzonte. Megjithatë, ky episod nuk është parë me sy të mirë nga drejtuesit e Kamzës. Me kujtimin e freskët të luftës për mbijetesë, por edhe akuzave pa fund dhe inatit që Skënderbeu u dhuroi fitoret Teutës e Kamzës, veprimi Ahmatajt jo vetëm që nuk u pëlqye, por solli edhe prishjen e bashkëpunimit me trajnerin, i cili është njoftuar për largimin.