Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria ka gjetur papritur shumë sulmuesë me kualitete dhe që po rriten në ekipe të mëdha. Rei Manaj është aktualisht pjesë e Barcelonës B, por jo në pak raste është stërvitur dhe me ekipin e parë. Fundja edhe përballja me yjet e futbollit botëror në përgatitje, ka jo pak leksione për të dhënë.
Nga ana tjetër kemi Xhakomo Vrionin që po rritet tek të rinjtë e Juventusit. Një tjetër futbollist nga i cili pritet një shpërthim në të ardhmen, megjithëse për të prekur ekipin e parë të bardhezinjëve është një mision më shumë sesa i vështirë.
Një tjetër lojtar i Shqipërisë U-21 pritet të bëj një kalim të tillë. Bëhet fjalë për Emiliano Bullarin, një sulmues që kuqezinjtë e kanë fituar “me luftë” ndaj Greqisë. Menjëherë do të linte gjurmë futbollisti 18-vjeçar duke debutuar me gol në ndeshjen ndaj Turqisë U-21 në atë barazim dramatik në shifrat 2-2.
Ky sulmues është pjesë e të rinjëve të Olimpiakosit, teksa kontrata i skadon në 1 korrik. Aktualisht ekipi grek nuk është duke lëvizur asgjë për t’i zgjatur kontratat prodhimeve të akademisë. Roma është ekipi që vazhdon të shfaq interesimin për të dhe sipas të gjitha gjasave në merkaton e verës do të kalojë në skuadrën e njohur italiane, por fillimisht për t’u rritur tek të rinjtë. /Sport Ekspres/