Tirana ka pësuar një ndryshim të madh që me ardhjen e Egbos si trajner, ndërsa numëron 6 fitore në po aq takime të luajtura. Magjia e këtij tekniku po vazhdon dhe nuk ka ndërmend të thyhet, ndërsa në dy raste, fitoret janë arritur në minutat e fundit të takimit.
Ecuria pozitive e ka një shpjegim te bardheblutë, me harmoninë në grup që është rritur ndjeshëm dhe shpirtin e sakrificës që shihet te ekipi. Ndërkohë Egbo ka arritur të ndryshojë edhe futbollistët për mënyrën sesi sillen jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Përshembull në rastin e sulmuesit Ngo, që është në qendër të kritikave.
Ky i fundit është akuzuar nga njerëz të sportit dhe vetë klubi i Teutës se bën një lojë të ashpër në fushë, duke i goditur kundërshtarët me bërryla të palejuara. Në çdo moment tjetër ashtu si edhe në të kaluarën Ngo do të kishte shpërthyer me fjalorin në rrjetet sociale, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Por jo në këtë rast, që jo vetëm nuk e ka thënë asnjë fjalë më tepër, por kërkon paqe dhe dashuri me një shprehje filozofike.
“Nuk mund të ndryshosh të djeshmen, por mund ta bësh të nesërmen. Lërë pas negativitetin dhe bëhu pozitiv. Duhet të kesh besim dhe vendosmëri në atë që bën dhe 100% do të jesh në një vend më të mirë se dje. Paqe dhe dashuri njerëz”, është mesazhi që ofron Ngo. /Sport Ekspres/