Olsi Rama ishte i ftuar në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“, ku foli gjatë për Partizanin e këtij sezoni. Ndeshja e radhës për “demat e kuq“ është derbi me Tiranën, i cili këtë herë do të zhvendoset nga kryeqyteti në “Elbasan Arena“. Drejtori i Partizanit shpjegon arsyet përse ky migrim është i detyruar për ta, ndërsa shton se në rast se do të zhvillohej në “Air Albania“, do të ishte ndër të paktat mundësi për të grumbulluar të ardhura.
“Ajo që po ndodh në kampionat, është ta filloj nga polemika me stadiumin. Vijmë nga ndeshja me Kukësin, ku më pëlqeu stadiumi i ri. Ishte një model sesi mendoj unë që duhet të jenë stadiumet në Shqipëri. Komod i vogël. Në Tiranë kemi dy stadiume. Ishte dëshira jonë që të ktheheshim të luanim në Selman Stërmasi, për tifozët, por arsyeja pse nuk bëhet dot ndeshja në Tiranës, është se në Air Albaina pritet finalja, ndërsa në Selman Stërmasi nuk garantohet siguria, pasi nuk është gardhi rrethues.
Është problematik një derbi Partizani-Tirana. Nuk e shikoj të logjikshme, që dyert e Air Albania të mos hapen për një derbi. Sa herë ka pasur derbi në Selman Stërmasi, policia ka refuzuar ta marrë përsipër sigurinë, për shkak të kushteve në atë stadium. Ne migrojmë nga halli, jo nga qejfi. Është fatkeqësi që stadiumi që në fillim lindi çalaman për problemet me fushën. Është nga të paktat ndeshje që ne mund të arkëtojmë diçka, nëse luhej në Air Albania. Kush i shikon llogaritë tona?!”, ka thënë fillimisht Olsi Rama.
Më tej, zyrtari i klubit të Partizanit ka prekur edhe çështjen e largimit të Ilir Dajës. Sipas tij, ndarja u bë me dhimbje dhe nuk ka pasur zënka në dhomat e zhveshjes. Por shkak për divorcing me Dajën, ishte mungesa e rezultateve.
“Çdo sezon ka vështirësitë e veta. Kur ndryshon trajnerin me dhimbje në mes të sezonit, pranon që ke hasur vështirësi. Ekipi aty është, prurjet e janarit na kanë ndihmuar shumë. Më pëlqeu ndeshja me Kukësin. Shpresoj të vazhdojmë në këtë mënyrë. E gjithë hallka e strukturës, ku klubi funksionon, u bë si ato enët që ziejnë. Nuk kemi pasur asnjë problematikë apo zënkë brenda në klub. Ka pasur një atmosferë që u bë mbytëse, për mos arritjen e rezultateve. Kemi çaluar në disa ndeshje dhe fusha ku nuk duhet ta bënim.
Të luash në shtëpi dhe të bësh atë lojë si ndaj Skënderbeut, ndaj një ekipi me këmbën në Kategorinë e Parë, është meritë e korçarëve, por edhe mangësi e madhe e jona. Edhe nëse nuk do ishin bërë gabimet që janë bërë, do kishte mundësi që gjërat të bëheshin edhe më mirë. Tani jemi në fund të sezonit dhe disa gjëra i kuptojmë dhe i nuhasim. Në një ekip ka merkato ku gabohet. Gabohet me emra dhe reparte. Jemi munduar të bëjmë më të mirën. Mund të them se këtë sezon, është grupi më i mirë që Partizani ka pasur ndonjëherë. Me Dajën funksionuam. Ne vjet bëmë një kampionat shumë të mirë. Daja është nga më të mirët. Mbaj raporte të mira. Arsyet që sollën dështimin, ndoshta është ecuria jo e mirë në fillim dhe mungesa e rezultatit“, ka përfunduar Olsi Rama./Sport Ekspres/