Të martën në “Old Trafford” u luajt Mançester Junajtid-CSKA e Moskës, sfidë që i fitua 2-1 me përmbysje nga anglezët, por lajmi i vërtetë i mbrëmjes ishte një tjetër: para ndeshjes nuk u dëgjua himni i famshëm i Champions League, edhe pse spikeri tha që të gjithë të bëheshin gati për himnin dhe lojtarët e arbitrat ishin të rreshtuar, në pritje të himnit, që është bërë traditë para çdo takimi në Champions.
Pritje e kotë, heshtje totale nga altoparlantët e stadiumit dhe fytyra të habitura në fushë, ndërsa në stadium plasi humori, me njerëzit që kërkonin himnin (jo se u interesonte fort, por një himn nuk është ndonjë punë e vështirë për t’u vendosur).
Dakord, ndoshta kishte problem fonia në stadium? Jo, dhe këtu nis më e bukura e historisë. Shpjegimi zyrtar është: CD-ja me himnin nuk po punonte dhe muzika nuk niste, sapo i jepej Play.
Çfarë? Domethënë, në vitin 2017, ka ende njerëz që punojnë me CD dhe nuk e dinë që himnin e Champions League e gjen në Google edhe një fëmijë 5-vjeçar?
Bravo, Mançester Junajtid, bravo UEFA! Herën tjetër duhen marrë masa, duhet sjellë ndonjë orkestër tallavaje, ta ekzekutojë himnin LIVE nëse nuk punon disku!