Humbje 2-0, një karton i kuq, dëmtime të rënda: sfida e parë sezonale në “Roza Haxhiu” u kthye në makth për Lushnjen, që doli e dërrmuar nga sfida ndaj Kukësit. Koordinatori sportiv i Lushnjes, Artur Çobani, konteston ashpër gjykimin e bërë nga treshja e arbitrave lezhjanë në takimin Lushnja-Kukësi.
“Kam dyshime të forta se Kukësi i kompromenton arbitrat. FSHF-ja e kishte vlerësuar këtë përballje dhe kishte caktuar një nga gjyqtarët më të mirë që ka në aktivizim, por kam frikë se arbitrat kur gjykojnë Kukësin komprometohen nga presidenca e këtij ekipi. Faktet janë komforte në sezonet e këtyre viteve të fundit në Superiore. Mjafton të kujtojmë ndeshjen e përfolur të sezonit të kaluar Kukësi-Skënderbeu, si dhe atë Teuta-Kukësi, apo takimin e javës së kaluar të këtij sezoni, ku Skënderbeu fitoi mbi Kukësin dhe mbi njëanshmërinë e gjykimit të Metës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe arbitri i sotëm Hamiti, i cili ka ndikuar jo pak në lojë, duke favorizuar Kukësin në shumë episode. Lushnja është një ekip me financa modeste, ndaj nuk ka ‘këllqe’ si Skënderbeu, apo ndonjë ekip tjetër që të mbajë mbi shpatulla apo të mposhtë një kundërshtar si Kukësi, që ka edhe arbitrat me vete. I bëj thirrje FSHF-së që të marrë masat e duhura ndaj këtij fenomeni negativ të gjykimit, të infektuar nga presidenca e Kukësit, duke prishur bukurinë që sjell një garë e ndershme” – ka përfunduar Artur Çobani.