Në Kukës qetësohen, por ka gati dosje për Laçin

Kampionët kanë rënë në qetësi, por vetëm për momentin, pasi duhet edhe fitorja në Korçë. Sot pritet dorëzimi i dosjes në FSHF për ndeshjen me Laçin

Jurgen Zela

 

Dy fitore radhazi! Ky ishte ultimatumi i presidentit Safet Gjici. Fitorja në Laç ishte vetëm 50% e objektivit, pasi tashmë vjen puna më e vështirë. Një fitore në Korçë do të ishte pika e kthesës së madhe dhe deri diku do të bëhej që ato katër ndeshje pa fitore të liheshin pas krahëve, pasi skuadra do të ishte sërish brenda objektivave. Në Laç nuk ishte aspak e lehtë, por mjaftoi goli i Shametit, për të shmangur masat. Pas humbjes me Partizanin lojtarët dhe stafi e kishin të qartë se nëse nuk vinin dy fitore radhazi atëherë masat do të ishin drastike. Ç’është e vërteta, ndeshja e radhës është ajo me Erzenin, por me shumë gjasa Gjici i është referuar ndeshjes në Korçë, pasi me Erzenin edhe nëse gabohet është ndeshja e kthimit që mund të rikuperohet. Një tjetër hap fals në Korçë do të bënte që lufta për titull të bëhej një “mision i pamundur”, pavarësisht se sot të gjithë në Kukës janë sy e veshë nga ndeshja në kryeqytet. Edhe pse me zë nuk e pranojnë se presin dhurata, nuk do thoshin “jo” nëse korçarët do lënë pikë sot.

DOSJA

Kukësi e paralajmëroi që pas ndeshjes se do të ankohej në FSHF për dhunën në stadiumin e Laçit, por dhe për gjykimin. Siç mësohet, Kukësi ka plotësuar një dosje ditën e djeshme, të cilën do e depozitojë sot në Federatën Shqiptare të Futbollit. Goditja e Kalesë, Idrizit dhe Allës do të depozitohet në FSHF. Edhe pse delegati i ndeshjes ka shënuar gjithçka në momentin e incidenteve, Kukësi dëshiron që asgjë të mos anashkalohet. Nuk do të jetë vetëm dhuna pjesë e dosjes së Kukësit, por dhe vendimet e gjyqtarit. Verilindorët kanë rezerva për gjykimin, për penalltinë e dhënë në minutat shtesë të pjesës së parë në favor të Laçit. Në fund kuksianët fituan, por dhe vendasit pretendojnë një 11-metërsh në fundin e takimit, i cili nuk është akorduan nga kryesori Meta.

Qetësi e përkohshme në Kukës, që varet nga rezultatet e ardhshme. Kusht fitorja në Shijak, apo ajo në Korçë? Lojtarët duhet t’i fitojnë që të dyja që të jenë në rregull. E sigurt është që gabimi në këtë pikë do të paguhet shtrenjtë. Shmangen mbledhjet dhe analizat e stërzgjatura, pasi fitorja në Laç veç pikëve u ka dhënë kuksianëve dhe një mbështetje nga ana psikologjike. Katër ndeshje pa fitore ishin shumë për Kukësin, që një statistikë të ngjashme e kishte kaluar vetëm një herë në Superiore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *