Trajneri Reja ka publikuar listën e futbollistëve që janë grumbulluar për tre takimet e ardhshme të Shqipërisë, ku fillimisht kuqezinjtë do të përballen kundër dardanëve. Në konferencën për shtyp tekniku i Kombëtares ka siguruar se edhe në vëllazërore do të luhet me futbollistët që do të garantojnë më të mirën e tyre, për t’u mos përsëritur humbja me Panuçin.
“Kemi shumë mungesa për shkakun e dëmtimeve dhe lojtarë që nuk vijnë dot për shkakun e COVID. Përpara kemi të shtunën dhe të dielën, aty do të na ofrohet panorama e qartë sa i përket futbollistëve. Klubet italiane kanë rregulla të veçanta dhe mund të në nxjerrin probleme për lëshimin e lojtarëve. Megjithatë kemi kontakte të vazhdueshme, ashtu si edhe vetë presidenti Duka që është i angazhuar për zgjidhjen e problemit.
Sa i përket objektivave të Kombëtares, kemi marrë vetëm dy pikë në dy transfertat e fundit, ndërkohë që ne dëshironim 4 pikë. Tani dëshirojmë që të fitojmë këto takime të mbetura dhe të marrim vendin e parë. I kemi mundësitë për të mbërritur aty. Në ndeshjet e fundit kemi parë dhe bërë disa testime. I kemi dhënë mundësinë Brojës që u paraqit mirë dhe kemi provuar Kallakun. Ndeshja me Kosovën do të na shërbejë për të bërë disa vlerësime, megjithëse vendimtare për ne janë dy ndeshjet zyrtare.
Nuk e nënvlerësoj Kosovën, është ekip cilësor dhe është vëllazërore për ne. Do të kenë mundësi që të luajë në këtë takim ata futbollistë që kanë pasur më pak minuta. Kjo miqësore është patjetër e rëndësishme dhe ka ndjeshmëri. Mos të bëjmë krahasimin me kohën e Panuçit, kjo është komplet tjetër gjë. Në fushë do të jenë ata lojtarë që unë mendoj se do të bëjnë ndeshje të madhe dhe të mos humbim, nuk futemi në fushë pr t’u humbur. Ne jemi Shqipëria dhe futemi për t’i fituar të gjitha ndeshjet”, ka thënë Reja. /Sport Ekspres/