Në Itali befasojnë Elseid Hysajn, Sarri nuk e dëshiron më dhe Lacio e nxjerr në shitje: Nuk ka ardhur akoma asnjë ofertë për të, çmim i lirë…

Elseid Hysaj është duke kaluar momentin më të vështirë në karrierën e tij. Mbrojtësi shkodran nuk ka bindur me nivelin e treguar në fushën e lojës në Kombëtare, por edhe në klub është e njëjta situatë. Maurizio Sarri e mori sërish me vete, këtë herë te Lacio. Nëse më parë ka qenë gjithmonë preferencë e parë, kritikat e shumta të tifozëve dhe mënyra e lojës e detyroi Sarrin që ta ulte Hysajn në stol.

Shkodrani ka dalë në konferencën e sotme për shtyp duke u shprehur se do të vazhdojë karrierën e tij te Lacio sipas kontratës, për të bërë më mirë në sezonin e ardhshëm. Por mediat italiane raportojnë krejtësisht të kundërtën. “Quotidiano” dhe media të tjera pranë klubit të Lacios shprehen se lojtari i Shqipërisë është nxjerrë në shitje, megjithëse nuk ka ende asnjë ofertë për të.

“Sarri vendosi ta marrë dy herë me vete gjatë karrierës, por tani po e refuzon Hysajn. Shqiptari mbërriti te Lacio pa kosto në merkaton e fundit pas kërkesës së Sarrit. Vetëm një vit në këtë skuadër dhe aventurës së tij po i vjen fundi. Nuk ishte shumë emocionuese në fakt dhe këtë e tregojnë mirë kritikat e tifozëve.

Edhe me Napolin, historia përfundoi mes kritikave të tifozëve, por Lacio e mori falë pranisë së Sarrit. Megjithatë gjërat nuk shkuan sipas planit. Shqiptari nuk bindi as trajnerin për të vazhduar, tani kërkohet një lojtar më i besueshëm. Vlera e Hysaj në treg është 5 milionë euro, shifër kjo e përballueshme, megjithëse tani nuk ka ende një ofertë konkrete për të”, shkruhet në median italiane. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *