Migjen Basha ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në futbollin shqiptar, ku pas ndikimit të politikës, u vendos edhe tritoli në familjen e presidentit të FSHF. Ish-mesfushori i Kombëtares kujton se ishin pikërisht këta djemë në bashkëpunim me Federatën që kaluan në Europian, në vendin ku politika ende nuk ka hyrë dhe ka “dështuar me sukses”. Në një intervistë për “Dosja.al”, Basha pyet i çuditur se përse politika e do sportin pikërisht në këtë moment.
“Kam lexuar në media për ngjarjen e rëndë, shpërthimin e tritolit në shtëpinë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe për mua është me të vërtetë e turpshme kjo ngjarje. Unë mund ta kuptoj rivalitetin kundër Presidentit Duka, por që ta sulmojnë atë dhe familjen e tij në këtë mënyrë, kjo është tërësisht e papranueshme.
Nuk e di pse vjen gjithë kjo urrejtje, kur vitet e fundit ka pasur shumë progres nga ana e infrastrukturës, siç janë stadiumet e reja apo ndërtimi i Shtëpisë së Futbollit, po ndërtohen edhe fusha të reja në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, Kombëtarja ka arritur diçka historike, kualifikimin në një kampionat Europian dhe prapë shumë njerëz nuk janë të lumtur. Pastaj, me këtë ngjarje të shëmtuar, bëhet fjalë edhe për imazhin e Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve në botë dhe kjo na dëmton.
Në fakt nuk shquhem si ndonjë ekspert politike, por nuk e kuptoj se pse gjithë ky interes i madh nga politikanët dhe pikërisht në këtë moment. Politika duhet të qëndrojë larg futbollit, ashtu sikurse ka bërë gjithmonë në fakt, pasi njerëzit e futbollit janë vetë të aftë për të bërë më të mirën për ta zhvilluar këtë sport. Në 2016 ishim ne futbollistët dhe Federata Shqiptare e Futbollit që e dërguam Shqipërinë në Europian dhe jo politika”, tha Basha. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/