Refik Halili ka siguruar se Tirana do të vazhdojë me paraqitjet dinjitoze edhe përtej kampionatit. Presidenti i Tiranës ishte i pranishëm në “Fax Sport”, atje ku ka siguruar se nuk do të shkohet për shëtitje në Europë. Gjithashtu është prekur edhe tema e trajnerit për sezonin e ardhshëm, atje ku është konfirmuar se do të ketë një takim me Egbon në fundin e këtij kampionati për të vendosur gjithçka.
“Ndeshjen e Vllaznisë po e ndiqja në televizor. Isha me një grup shoqëror të lagjes që banoj, gati 20 veta. Ishte momenti shumë i bukur kur Vllaznia shënoj gol. Urimet nuk kanë përfunduar nga të gjitha anët. Kam falënderuar çdo futbollist dhe pjesëtar të stafit për kontributin e dhënë përgjatë këtij sezoni.
Me ardhjen e Egbosë kemi marrë rezultate fantastike dhe kemi bërë një kampionat shembullor për ekipet e tjera. Tani e kemi lënë që në përfundimin e këtij kampionati të mblidhemi dhe të vendosim për të ardhmen, për të ndërtuar planin e ri. Të shohim sesi do të gjendet dakortësia. Dëshira ime është e pakthyeshme që të vazhdojmë me të në krye.
Sa i përket Europës, i siguroj tifozët që do të shkojmë atje për të përfaqësuar denjësisht ekipin dhe jo për shëtitje. Pastaj sesa larg mbërrihet, varet nga mundësitë. Ndeshja me Bylisin? E kam thënë dhe e përsëris që nuk ka asnjë person që ka futur 1 dollar të pisët në klubin tonë”, u shpreh Halili. /Sport Ekspres/