Kush e mban mend një futbollist afrikan Amadu Samb të ngrejë dorën! OK, e dimë që keni nisur të kërkoni në google për këtë lojtar, por tifozët më të thekur të Teutës e kanë pasur të lehtë të thonë që janë gëzuar dhe kanë festuar me golat e tij, edhe pse vetëm 4 të shënuar në 13 ndeshje, katër vjet më parë.
Duhet sikur ka kaluar një shekull, por në fakt futbollisti në fjalë, sulmuesi senegalez, në atë kohë, ishte vetëm 26 vjeç dhe në kulmin e tij. I marrë në huazim nga Kievo (e bleu për 100 mijë euro nga Monza), që kishte pronësinë dhe e kishte huazuar gjithashtu te Lumexane në Serinë C italiane (në atë kohë quhej Lega Pro), sot është protagonist i madh në Europa League me fanellën e skuadrës Gzira Junajtid.
Si, nuk e dini se çfarë skuadre është? Nuk keni faj, sigurisht, pasi flitet për një ekip modest maltez. Në fakt, u deshën më shumë se 40 vjet që kjo skuadër të rikthehej në Europë, pasi kishte marrë pjesë herën e fundit në Kupën e Kupave, sezoni i largët 1973-1974.
Sot, Gzira mund të festojë, pasi kaloi turin paraeliminator të Europa League, duke eliminuar skuadrën e Andorrës, San Zhulia, që një vit më parë do të përballej me Skënderbeun në turin e parë kualifikues të Europa League.
Por, mund të festojë falë goleadorit të saj, pikërisht Amadu Samb, karriera e të cilit ka nisur nga Monza, nga vera e vitit 2008 deri në 2011.
Më pas, një pelegrinazh i gjatë që e çoi të luante edhe në Shqipëri, me Teutën.
Nga bregdeti i Durrësit tek ai maltez, në fillim te Floriana dhe më pas te Griza, ku vjet ishte edhe golashënuesi i kampionatit maltez me 21 gola në 22 ndeshje, në një kampionat me 26 javë, ku Gzira e mbylli në vendin e tretë. Samb qëndroi te Gzira të paktën edhe për Europën dhe në harkun e një jave shënoi 2 gola, duke qenë vendimtar në kualifikimin kundër San Zhulias, me dy fitore, 2-0 e 2-1.
Në Durrës luajti vetëm 4 muaj, shënoi 4 gola në 13 ndeshje dhe u la i lirë, nuk vlente. Ndoshta me pak durim, mund të kishte shënuar shumë më tepër në Shqipëri.