Në Durrës bëjnë gjyq, e pëson iraniani i Skënderbeut

Ashtu si vitin e shkuar, kur përjashtoi Albi Dostin, apo në ndërrimin e viteve, kur largoi kapitenin Nijas Lena, Teuta duket se e zgjidh krizën e saj me një përjashtim. Pas largimit të Stavri Nicës, pasuar nga Gentian Begeja, sot tek Teuta kane zhvilluar një mbledhje dhe “u mbars mali e polli një mi”, sepse në fund u përjashtua Reza Karimi.

Mesfushori iranian kaloi në formë huazimi nga Skënderbeu tek Teuta, për të luajtur rregullisht, pasi në Korçë e kishte të pamundur. Deri tani 19-vjeçari ka luajtur 582 minuta, me 8 ndeshje në formacion, por ndaj Luftëtarit u zëvendësua që në minutën e 37-të dhe duket se është shpallur ai fajtori për atë humbje. Tashmë Teuta ka vendosur ta kthejë Karimin në Korçë, pasi e ka cilësuar të pamjaftueshëm impenjimin e futbollistit nga Irani dhe i mbetet barrë Skënderbeut të paktën deri në fund të sezonit, sepse nuk mund të aktivizohet në asnjë ekip.

PREZANTOHET BEGEJA – Trajneri Gentian Begeja zhvilloi sot stërvitjen e parë në drejtim të skuadrës dhe nuk ishte i nevojshëm as prezantimi nga drejtuesit, pasi Begeja njihet mirë në klubin durrsak. Begeja do të debutojë nesër në Korçë, por natyrisht mendja është vetëm te sfida e së hënës në Shkodër, kundër Vllaznisë, rival direkt për mbijetesë. Për shkak të reshjeve dhe motit të ftohtë, seanca u zhvillua në palestrën e stadiumit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *