“Në Berat e lanë pa bukë, sot Xhejmsin e do gjithë Superiorja”

Flet Florant Sinaj, ai i cili e ka mbajtur dy muaj me byrekë lojtarin nigerian: Mua më quan menaxher, më telefonon 2-3 herë në javë dhe jam krenar që ai është një nga lojtarët më të mirë në vend. Turp për klubin e Tomorin që e la në rrugë!

Edi Spahiu

Në skuadrën kampione të Skënderbeut, që së fundmi është shpallur edhe fituese e Kupës së Shqipërisë, si pjesë e saj janë edhe dy ish-futbollistë të njohur të skuadrës së Tomorit. Për të cilët në qytetin e Beratit, jo vetëm ish-drejtues të skuadrës që i kanë pasur si pjesë të tyre, por edhe specialistë e sportdashës të zjarrtë vendas ruajnë nostalgji të madhe edhe sot. Edhe në ditët e sotme më konkretisht, më shumë se sa vazhdojnë që të ruajnë këto marrëdhënie dhe respekt të ndërsjelltë, ata i janë gëzuar edhe suksesit më të fundit që ka arritur së fundi skuadra korçare, dhe jo më shumë se sa për të qenë tifoz apo mbështetës i Skënderbeut, se sa për hatër të lidhjes dhe afeksionit që kanë ndaj dy ish-futbollistëve të tyre. Dhe bëhet fjalë si për mbrojtësin e njohur Tefik Osmani, i cili në vitin 2005 u bë pjesë e Tomorit të drejtuar nga tekniku Kristaq Mile. Përmes performancës së lartë me skuadrën beratase e sponsorizuar nga ish-presidenti i ndjerë Edmond Malollari, për të cilën Osmani kontribuoi e ka “shpërblyer” me grumbullimin për të parën herë me skuadrën përfaqësuese Shpresa. Por, përtej historisë së ardhjes dhe suksesit që ka arritur Tefik Osmani me Tomorin, ajo që të bën të ndalesh dhe të rikthehesh pak në kohë, është historia e futbollistit të njohur nigerian Xhejms Adeni. Nigeriani ka qenë pjesë e Tomorit plot pesë sezone më parë, kur i është dashur që të vinte në Berat si i huazuar nga skuadra e Bylisit, dhe që ka pasur dhe një histori të trishtë pas largimit nga Berati…

HISTORIA E TRISHTË – Është e njohur historia e nigerianit Xhejms që erdhi në Berat nga skuadra e Bylisit si i huazuar në sezonin 2012-2013 për t’u aktivizuar si mbrojtës i djathtë në fazën e dytë të atij kampionati, në të cilin skuadra e Tomorit pothuajse ishte e rënë nga Superiorja. Por që midis dy klubeve u gjend një e mesme e artë për të aktivizuar disa futbollist të huaj, ku më të rëndësishmit dhe më të talentuarit në atë periudhë ishin Xhejms dhe mesfushori Kehinde. Megjithëse erdhi si një mbrojtës i djathtë, qysh në aktivizimin e tij të parë Xhejms ka fituar admirimin e stafit teknik dhe sportdashësve beratas, pasi ndërmerrte shumë inkursione sulmuese, dhe në jo pak raste dhuronte shumë asiste për shokët e skuadrës. Për të mos lënë mënjanë edhe shënimin e tre golave shumë të bukur për ngjyrat e Tomorit. Mirëpo, javët kalonin dhe kampionati erdhi në fundin e tij, dhe këtu nisi edhe historia e trishtë e kampionit aktual të Skënderbeut, për të cilin në atë periudhë, (pra në verën e 2013) ka shkruar edhe “Sport Ekspres” duke e denoncuar si një shqetësim të madh për një futbollist të huaj të lënë rrugëve të Beratit si një njeri pa njeri. Dhe më konkretisht, kur Tomori kishte rënë nga kategoria, dhe skuadra ishte shpërbërë duke u ndarë futbollistët nëpër familjet e tyre, ndodhi që në ambientet e mini hotelit të stadiumit të qëndronin futbollistët nigerianë. Por, për fat të keq klubi i la në mëshirë të fatit, pasi futbollistët dhe Xhejms në mënyrë të veçantë mbeti si mos më keq pa ushqim dhe rrugëve të Beratit, aq sa gjithçka u sensibilizua pas problemit që trajtoi “Sport Ekspres”, dhe pse në disa nga lokalet e Beratit dhe në veçanti në një nga byrektoret e njohura në afërsi të stadiumit, nigeriani u bë si i shtëpisë. Byrekshitësi i njohur si një tifoz i thekur i Tomorit, e mbante afër dhe çdo vakt e ushqente me byrek Xhejmsin, aq sa me të vetmin njeri që ka mbetur shok dhe mik në Berat futbollisti nigerian, është pikërisht pronari i byrektores me emrin Laku. Me të cilin Xhejms komunikon në telefon dy deri në tre herë në javë, dhe e gjitha kjo sepse Laku e mbajti me byrek në një kohë krize, kur klubi e la në mes katër rrugëve dhe në mëshirë të fatit, pa lënë mënjanë edhe disa tifozë të tjerë që e trajtonin me lekë xhepi.

TIFOZI – Për “Sport Ekspres” ka folur edhe kryetifozi i skuadrës së Tomorit, Florant Sinaj, ose “Laku” siç e thërrasin të gjithë në qytetin e Beratit. “Është vërtetë një histori sa grotekse aq edhe për tu keqardhur, kur kujton se si kampioni i sotëm i Shqipërisë Xhejms Adeni ka kaluar një siklet shumë të madh kur ishte në Berat. Kujtoj si tani atë çfarë ndodhi në verën e vitit 2013 me këtë futbollist, kur për humanizëm, por edhe si një tifoz i thekur i Tomorit, kam kontribuar për plot dy muaj me trajtim ushqimor, sa për të mbajtur frymën gjallë futbollisti nigerian. Sot jemi shumë miq, aq sa qysh nga momenti kur u larguar nga Berati në drejtim të Laçit, ai më ka cilësuar mua si një menaxher, dhe kështu më drejtohet në të gjitha komunikimet si në telefon ashtu edhe në instagram ku komunikojmë shumë shpesh. Xhejms më kujtohet shumë mirë, se pas një paraqitje të shkëlqyer që ka zhvilluar me Tomorin që ishte i dalë nga Superiorja, fitoi zemrat e sportdashësve beratas, dhe unë isha një midis tyre që e mbaja afër. Madje, herë pas here e ushqeja apo qerasja me byrekë, sepse punoja në një biznes të tillë sa për të mbajtur frymën me familjen. Pas përfundimit të kampionatit, ai mbeti në Berat dhe më e keqja akoma, sepse klubi as nuk i jepte lekë për të ikur pranë familjes, por paturpësisht i ka mbajtur edhe rrogën. Në atë periudhë “Sport Ekspres” e trajtoi me shqetësim këtë problem, pasi një futbollist i huaj mbeti në mes të katër rrugëve dhe pa bukë. Për plot dy muaj unë e mbajta afër, e ushqeja me byrekë dhe pse në ndonjë rast i kemi dhënë edhe lekë xhepi. Por, në ato dy muaj ai me thënë të drejtën është bërë shumë i afërt me mua dhe qysh nga ajo periudhë, ne lidhëm një miqësi shumë të fortë me njëri-tjetrin, aq sa unë flas shumë shpesh por edhe e ftoj të vij në Berat. Ai më quan menaxher, dhe kjo për respektin që tregova duke e mbajtur me bukë, dhe duke qenë mirënjohës ai flet me shumë simpati dhe respekt, si për mua ashtu edhe për sportdashësit beratas, ku disa shokë të mi e kanë mbajtur shumë afër dhe e kanë qerasur në ato dy muaj “tmerri” për Xhejmsin që u keqtrajtua me plot gojë në atë periudhë nga klubi dhe Bashkia e Beratit. Tani që ai është shpallur kampion i vendit dhe fitues i Kupës, unë jam vërtetë i kënaqur dhe e uroj me shumë përzemërsi kampionin Xhejms, të cilit i uroj publikisht suksese  në jetë, edhe pse më ka premtuar se shumë shpejt do të vij të më takoj në Berat”, – ka përfunduar deklarata e tifozit beratas dhe mikut të Xhejms me emrin Laku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online