“France Football” ka marrë vendime të rëndësishme për të ndryshuar formatin e Topit të Artë. Duke nisur nga edicioni i radhës, trofeu më i rëndësishëm individual nuk do të jepet më në bazë të arritjeve në një vit kalendarik, por për ato gjatë një sezoni. Gjithashtu do të ketë një numër të kufizuar votuesish, me vetëm 100 anëtarët e parë të renditjes në FIFA. Zëra të ndryshëm kanë lindur në lidhje me faktin se ndryshimet janë bërë për të favorizuar Robert Levandovskin, por kjo hipotezë është hedhur poshtë nga kryeredaktori i “France Football”, Pascal Ferre, në një intervistë për “WP Sportowe Fakty”.
“Edhe pse nuk është se përzgjedhja për vitin kalendarik ishte diçka e gabuar, ne e kemi bërë me sukses për mbi 60 edicione, por duket se ka kuptim kalimi për sezonin. Tashmë do të jetë më e natyrshme, sepse kështu shkon ritmi i futbollit, nga sezoni në sezon. Një gjë është e sigurt: ne nuk i bëmë këto ndryshime për Robert Levandovskin. As për të dhe as për ndonjë lojtar tjetër. U ulëm dhe biseduam. Në fund të fundit, dihet që gjithmonë mund të përmirësosh diçka. Dhe kjo është ajo që ne u përpoqëm të bëjmë”, ka theksuar Pascal Ferre./Halit Delibashi-Sport Ekspres/