Lista e ekipit Kombëtar U-21, e shpallur ditën e shtunë nga trajneri Alban Bushi ka pësuar dy ndryshime për shkak të pandemisë COVID-19. Zyra e Shtypit në FSHF bën me dije se Sergio Kalaja, mbrojtësi i talentuar shqiptar nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Gjithashtu, edhe mesfushori kuqezi, i cili aktivizohet me ekipin e AC Renate në Itali, Erald Lakti edhe pse ka rezultuar negativ në testin e zhvilluar ditën e sotme përpara nisjes për në Shqipëri, nuk është lejuar nga autoritetet italiane të udhëtojë për shkak të disa rasteve me Covid-19 që janë evidentuar së fundmi. Për shkak të impenjimeve me klubet dhe problemeve të lidhura me pandeminë, tekniku Bushi ka vendosur të mos marrë lojtarë të tjerë për ta zëvendësuar. Shqipëria U-21 do ta nisë fushatën e eliminatoreve të EURO 2023 në 4 qershor, në transfertën ndaj Andorrës.