Në Gllazgou për t’i dhënë vazhdimësi fitores ndaj Izraelit. Ajo në Skoci është një ndeshje për të mos u humbur. Trajneri Panuçi e ka të qartë, pavarësisht deklaratës në konferencë se “kërkon fitore”, edhe barazimi do të ishte rezultat mjaft pozitiv.
Që objektivi të arrihet, Kombëtarja do të ketë disa ndryshime në emra, por më i rëndësishëm është rreshtimi në fushë. Kuqezinjtë do ta nisin sfidën njësoj si mbyllën ndeshjen me Izraelin: me Mavrajn që plotëson qendrën e mbrojtjes dhe Bekim Balajn titullar në sulm.
Në rreshtimin difensiv 5-4-1, sërish titullar në krahun e majtë të mbrojtjes pritet të jetë Binaku, ndërsa Veseli është gati për lojë. Në mesfushë Memushaj dhe Basha kanë detyrën të diktojnë ritmin e lojës dhe të organizojnë manovrat sulmuese. Me ndihmën e Xhakës dhe Hykës, ata do të jenë në mbështetje të Balajt.
Panuçi e ka planin gati, ndërsa nuk ishte nevoja as që Kombëtarja të stërvitej në “Hampden Park”. Skuadra vetëm sa vizitoi fushën dhe ambientet e stadiumit të ndeshjes në Gllazgou, për t’u akomoduar më pas në hotel.
Aty u vizituan edhe nga Eros Grezda, i cili takoi shokët për më tepër se një orë dhe u largua, për të vazhduar stërvitjet me dy seanca në ditë, për të arritur formën optimale. Edhe pse jo në fushë, ylli kuqezi pritet të jetë i pranishëm në stadium, në mbështetje të shokëve të Kombëtares.