Dje u luajt Al Ahli-Al Batin dhe ishte një ndeshje historike për futbollin arab. Asnjë rëndësi për ndeshjen në fushë, por për atë që ndodhte në tribuna dhe jashtë stadiumit: për herë të parë në stadium futeshin edhe femrat!
Ndryshimi i një rregulli historik ishte paralajmëruar nga Mbreti Salman dhe bën pjesë te sistemi i reformave Vision 2030, me të cilin i biri i mbretit, princi Mohamed bin Salman, kërkon modernizojë sadopak Islamin në brendësi të vendit.
Kështu, pas 35 vitesh janë hapur kinematë dhe më në fund edhe femrat mund të ngasin makinat. Natyrisht, liri totale nuk mund të ketë, sepse mbeten disa rregulla që për ne duken absurde: gratë nuk lejohen të marrin pasaportë, të udhëtojnë jashtë, të martohen, të hapin llogari bankare apo të nisin biznese pa miratimin e një tutori mashkullor si babai, vëllai apo burri.
Megjithatë, lajmi i hapjes së stadiumeve për femrat është një ndryshim epokal, që do të hapë rrugën për ndryshime edhe më madhore. Stadiumet janë modernizuar, me zona të rezervuara për femrat, me banjo dhe zona lutjeje për to. Për momentin tre stadiume janë ristrukturuar për të lejuar futjen e femrave, së shpejti i gjithë kampionati.
Saudi Professional League, kampionati i Arabisë Saudite, është i treti në Azi për nga vlera, pas Kinës dhe Japonisë.