Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, ka qenë qartësisht i zhgënjyer dhe nervoz pas humbjes kundër Luftëtarit. U humb një ndeshje për një gabim fatal të portierit, sepse ndeshja po menaxhohej mjaft mirë, por Ndreu nuk pranon të flitet për moment të vështirë apo për frikë nga rrëshqitja drejt fundit.
– Humbje, e dyta rresht, e treta në katër ndeshjet e fundit.
– E kishim përgatitur mirë ndeshjen, e dinim forcën e kundërshtarit dhe kishim menduar të bllokonim anësorët e sulmit kundërshtar. Megjithatë, Luftëtari gjeti një gol me fat dhe më pas u bë shumë e vështirë, kundërshtari pati edhe raste të tjera mjaft të mira.
– Renditja po ndërlikohet.
– Nuk e kuptoj pse flitet për mbijetesë, ju gazetarët arrini në konkluzione të gabuara. Jemi në mesin e qetë dhe shumë larg fundit, ndërsa pyetjet më bëhen për mbijetesë. Kamza nuk rrezikon, të jeni të sigurt.
– Loja e skuadrës, u bind?
– Ne u munduam, luajtëm mirë dhe krijuam disa raste të mira në pjesën e parë. E rëndësishme ishte të mbroheshim mirë, por goli i pësuar prishi balancën. Pas janarit kemi luajtur ndeshje shumë të mirë, pavarësisht nga rezultatet. Unë kam besim absolut te skuadra, përtej luhatjeve, që janë të pranueshme.
– A ka qenë Kamza nën presion nga humbja e fundit?
– Pa diskutim që humbja lë pasoja, edhe psikologjikisht. Luftëtari ka një sulm të shkëlqyer, është fat i madh të kesh lojtarë të tillë. Kisha kërkuar kujdes maksimal për të mbuluar këta lojtarë, ndoshta u treguam më të matur sesa duhet, por kishim përballë një rival që të frikëson në sulm dhe deri te rasti i golit kundërshtari nuk krijoi situata të rrezikshme. Pas golit, që ishte aksidental, u detyruam të sulmonim dhe Luftëtari pati raste të mira. Besoj se që nga ndeshja e fundjavës kundër Vllaznisë do të bëjmë kthesë.
– U luajt një ndeshje mbrojtëse, me shumë topa të gjatë.
– E vërtetë, çaluam disi në aspektin ofensiv dhe ndikoi edhe lodhja.