Ndoj, “siçiliani” nga Shqipëria që bindi Panuçin ta thërrasë!

Trajneri i Shqipërisë e mbajti shënim që kur Ternana e tij luante në Serinë B, ndërsa me “dallëndyshet” e Breshias hapi krahët. Në Katania, frika e vullkanit Etna të bën më të fortë

Anton Cicani

Sudja, VEFA, Populli, Gjallica, Xhaferri… Për shqiptarët, këto emra thonë shumë, për Emanuele Ndojin jo edhe aq, duke qenë se në atë vit kur firmat Piramidale në Shqipëri po pësonin “boom”-in e tyre dhe njerëzit të etur për të shtuar pasurinë e tyre i besonin pasurinë dhe trashëgiminë disa skemave misterioze dhe zhvatëse… Ishte viti 1996 dhe në atë kohë, në ishullin e Siçilisë, në Katania, do të hapte sytë për të parën herë i vogli i familjes Ndoj, Emanuele.

Një emër tipik italian, edhe pse familja me origjinë përtej Adriatikut. Në Katania, aty kur zgjohesh në mëngjes lutesh që vullkani Etna të vazhdojë të flejë dhe të mos zgjohet si shpesh bën, Emanuele u rrit dhe shkollua, deri sa më pas, pasioni i futbollit e “joshi” dhe e bëri për vete, deri sa shpesh qëndronte deri në mbrëmje duke luajtur me shokët dhe duke provuar talentin e tij. Padova ishte trampolina e parë. Një mundësi e artë për të dhe familjen e tij. Ishte viti 2013 dhe Emanuele ishte vetëm 17 vjeç. Roma ia hodhi sytë pas një ndeshje mes të rinjsh dhe vendosi ta merrte në kryeqytet dhe ta rriste si duhej.

Ndoj menjëherë tregoi vlerat e tij dhe u dallua për karakteristikat si në nisjen e manovrave sulmuese, ashtu edhe në ato mbrojtëse. i gjatë 187 centimetra dhe 77 kg, Ndoj është tipi i futbollistit që mund të jetë i rrezikshëm edhe me kokë në sajë të staturës së tij. Ndoshta, këto cilësi bënë që edhe Breshia të besonte te ai kur ia kërkoi Romës dhe sot e gëzon, duke vendosur një çmim të lartë, thuajse 5 mln euro për ata që e duan. Verdhekuqtë janë gati që ta riblejnë lojtarin, pasi e shitën për 1,2 mln euro, teksa edhe Bolonja pret “në dritare”. Ndërkohë, akordi me firmat sponsorizuese sportive është rinovuar, teksa besohet shumë te futbollisti shqiptar.

Alban Bushi do ta grumbullonte për sfidat kualifikuese, teksa një dëmtim bëri që të mungonte ndaj Estonisë, por Ndoj është gati për provimin më të vështirë: kombëtaren e madhe. Kristian Panuçi ka pasur fatin ta shohë përballë, kur stërviste skuadrën e Ternanës në Serinë B, përpara se të binte në Lega Pro. Ai ka vazhduar ta ndjekë dhe beson te futbollisti dhe cilësitë e tij, teksa edhe Strotman, një ndër mesfushorët më të mirë në botë në atë rol, i ka dhënë nota pozitive kur stërviteshin bashkë dhe kur holandezi, pas dëmtimit të rëndë, nisi rehabilitimin nga Primavera e Romës. Tani, Ndoj ka shansin e madh të luajë me Shqipërinë e madhe, ndoshta duke debutuar, në Alikante të Spanjës, apo “Loro Boriçi” të Shkodrës, përballë Italisë, vendi ku lindi, u shkollua, u rrit dhe luan sot…  Fundja, për një që ka lindur “nën” një vullkan, presioni nuk duhet të jetë problem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online