Një situatë interesante është parë në ligën e tretë gjermane të futbollit në ndeshjen ndërmjet Wehen dhe Meppen, e cila përfundoi me fitore befasuese për miqtë me rezultat 1-2. Wehen kështu mbeti në vendin e tretë katër javë para fundit, ndërsa Meppen me këtë fitore mbeti në garë për mbijetesë në ligën e tretë.
Mirëpo, një situatë e pazakontë i hodhi në plan të dytë futbollistët dhe rezultatin. Në minutën e 25-të ndeshja u ndërpre për shkak të lëndimit të ndihmës arbitrit Timon Oliver Schulz. Gjatë një momenti, ai rrëshqiti dhe duhej të ndihmohej. Lëndimi ishte më i rëndë, ndaj u largua me barelë nga stadiumi.
Në atë moment nuk kishte asnjë arbitr rezervë, ndaj mikpritësve iu desh të reagonin shpejt dhe dolën me një ide të rrallë. Prezantuesi në stadium i pyeti tifozët me altoparlant nëse dikush dëshiron të jetë drejtues i linjës deri në fund të lojës?
Tifozët mbetën të habitur dhe askush nuk u përgjigj dhe më pas kontaktuan me gjyqtarin më të afërt, ai ishte Jannis Jaschke, i cili sapo kishte arbitruar një ndeshje më herët. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/