Mërgim Berisha shënoi mbrëmë golin e tij të tretë radhazi në Bundesligë dhe të 6-in në këtë sezon. Ishte pikërisht goli i shënuar prej tij që i dha fitoren Augsburgut kundër Bajer Leverkusenit. Ndeshje kjo që u vëzhgua nga afër nga ndihmësi i trajnerit të Kombëtares së Gjermanisë, Hansi Flikut. Ndoshta në mars mund të ketë një ftesë të “pancerave“ në drejtim të Berishës.
Për sulmuesin shqiptar ka folur edhe trajneri i Augsburgut, i cili nuk i kursen elozhet për 24-vjeçarin. Maseni është shprehur se në Gjermani nuk ka lojtar “9”-sh më të mirë se Mërgim Berisha, që sipas tij ka cilësi të jashtëzakonshme për të shënuar gol në zonën e rreptësisë.
“Unë nuk mendoj se ka “9“-sh më të mirë në Gjermani. Ju mund të shihni se çfarë cilësie finalizuese ka ai me të majtën, me të djathtën, me kokën e tij. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm në zonë, i cili gjithashtu punon prapa. Është një zhvillim i shkëlqyeshëm për të”, ka thënë Enriko Masen./Halit Delibashi-Sport Ekspres/