Në kuadrin e përgatitjeve të stafeve në ekipet tona Kombëtare, FSHF-ja organizoi dy ditë më parë një seminar me të gjithë përgatitësit atletik të ekipeve tona kombëtare, meshkuj dhe femra. Synimi kryesor ishte përciellja e eksperiencës më të mirë teorike dhe praktike, që nevojitet në një skuadër për të pasur kondicionin e duhur fizik dhe atletik.
Ky seminar u drejtua nga përgatitësja atletike e Akademisë së Dinamos së Zagrebit, ekipit të parë kroat si edhe Kombëtares kroate të femrave, Tamara Despot. Në leksionet e saj ajo trajtoi mënyrën se si përgatitësit atletik dhe trajnerët duhet të përgatisin testimet dhe stërvitshmërinë e skuadrave.
Në këtë trajnim morën pjesë përgatitësit atletikë së bashku me trajnerët e ekipeve Kombëtare shqiptare, nga U-21 deri te U-15. Tamara Despot u ftua në Shqipëri nga Drejtori Teknik i ekipeve kombëtare në FSHF, Xhemal Mustedanagic, i cili ishte pak ditë më parë edhe në një takim me Davor Shuker, presidentin e Federates Kroate të Futbollit.
Boshnjaku vlerësoi shumë seminarin e zhvilluar prej Despot. Pjesëmarrësit ndoqën një seancë praktike të testimeve fizike dhe ushtrimeve që zhvillohen gjatë një stërvitje të zakonshme. Njëherësh Mustedanagiç theksoi se bashkëpunimi me ekspertë të njohur do të vazhdojë gjatë të gjithë vitit në grumbullimet e ekipeve tona Kombëtare, meshkuj dhe femra.