Nga Italia ka vend për optimizëm duke parë uljen e ndjeshme të infektimeve të reja ditore nga Koronavirusi. Klubet janë lejuar prej disa ditësh që të nisin stërvitjet individuale, ndërsa tashmë do të kemi gati edhe një datë për Serinë A. Ministri Spadafora është shprehur se ka nisur edhe ky diskutim, por jo vetëm për futbollin, por për të gjitha aktivitetet sportive që do t’i shërbejnë italianëve. Për më tepër po mendohet edhe për një ndihmë ekonomike që do të vazhdojë nga shteti, duke parë që vazhdon gjendja e rënduar e financave.
“Ne jemi të gatshëm t’i paraqisim udhëzimet për rifillimin e stërvitjes së ekipeve sportive, në vëmendjen e Komitetit Shkencor Teknik. Por jo vetëm për to, ne do të dorëzojmë edhe udhëzimet për rihapjen e pishinave, qendrave të tenisit dhe të gjitha atyre vendeve ku italianët mund të ndjekin pasionin dhe aktivitetet e tyre sportive. Ne do të jemi të shpejtë për ndihmë ekonomike”, ka thënë Spadofora. /Sport Ekspres/