Sfida mes Tiranës e Apolonisë ishte në plan për këtë të shtunë, por nuk do të luhet në ditën e caktuar, sepse është shtyrë për të mërkurën. Fillimisht u mendua se Tirana e kishte kërkuar shtyrjen për shkak të mungesës së lojtarëve të grumbulluar me kombëtaret, por vetë klubi Tirana ka sqaruar gjithçka.
Është Federata Shqiptare e Futbollit ajo që ka vendosur shtyrjen e ndeshjes, për shkak se “Selman Stërmasi”, si zakonisht, do të përdoret pa asnjë planifikim, duke e shfrytëzuar në mënyrë të tejskajshme, në një kohë që në Elbasan Arena luhet një ndeshje në muaj, në rastin më të mirë, dhe nuk stërvitet askush.
Të premten në stadiumin e vetëm në kryeqytet do të luhet Shqipëri U21 – Sllovaki U21 (17:20), ndërsa më pas do të stërvitet edhe Norvegjia, që të hënën do të luajë miqësoren ndaj Shqipërisë në Elbasan (19:00).
Për Tiranën është një problem i madh, sepse të mërkurën do të ndeshet me Apoloninë dhe sipas kalendarit të shtunën do të ndeshet me Bylisin, por natyrisht sfida mund të shtyhet për të dielën ose të hënën.