UEFA, nëpërmjet sistemit BFDS, monitoron rreptësisht futbollin shqiptar. Edhe këtë sezon ka ndeshje të dyshuara, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për Lushnjën, që ka kohë që ka rënë nga kategoria
Në Shqipëri nuk zëmë mend lehtë, ose jemi aq trima, sa nuk i trembemi askujt. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe ajo që ndodh me disa klube shqiptare, që ndonëse e shohin çfarë furtune po përjetojmë me historinë e Skënderbeut, sërish mundohen të nxjerrin ndonjë pagë nëpërmjet basteve të paligjshme. UEFA tashmë e ka vendosur një precedent me përjashtimin e Skënderbeut për një vit nga kupat e Europës dhe nëse fiton edhe betejën e dytë në CAS, do të ketë të drejtë të përjashtojë çdo klub që do ketë dëshirë, por natyrisht do të kufizohet te kupat e Europës, që synon t’i mbajë të pastra. Këtu qëndron fati i klubeve të varfra si ato shqiptare, që mundohen të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër për të nxjerrë ndonjë euro. Kampion, kupë a miqësore, pak rëndësi ka, çdo rast është i mirë, kur rezultati i ndeshjes nuk ka ndonjë vlerë të madhe.
DOSJET – Në Federatën Shqiptare të Futbollit vijnë prej vitesh dosje për ndeshje të dyshuara, ose që u vihet vula si të manipuluara, por deri tani federata jonë nuk ka pasur mundësi të ndërmarrë ndonjë veprim konkret dhe të fortë, sepse ashtu si UEFA deri para pak kohësh, nuk ka pasur në legjislacionin e vet shfrytëzimin e kuotave të basteve për të dënuar klube. Gjithsesi, UEFA tashmë ka krijuar një precedent dhe herët apo vonë do të vijë radha jona, ndoshta në bashkëpunim me qeverinë europiane të futbollit. Sport Ekspres mëson se këtë vit në FSHF kanë ardhur 10 dosje në total, të hartuara nga SportRadar, me sistemin e famshëm BFDS. Natyrisht, nuk do të thotë që janë ndeshje të trukuara, por natyrisht, ka pasur gjëra që nuk shkojnë. Në dhjetëra ndeshje me kuotim me ecuri mjaft normale, është logjike që të bien në sy pak takime ku baste me shumicë luhen vetëm në njërin krah, apo gjithnjë për shumë gola, aq më shumë që sa herë janë hedhur shumë të mëdha, përfundimi ka qenë ashtu si prisnin bastvënësit. Të kuptohemi, nuk bëhet fjalë për shifra të çmendura, përkundrazi, në Superiore shifrat janë modeste dhe mjaftojnë 5.000 apo 10.000 euro në total, për të tronditur tregun.
NDESHJET – Si zakonisht, FSHF i mban sekret dosjet e ardhura nga UEFA, pasi bëhet fjalë për dosje konfidenciale, me të cilat UEFA sinjalizon për ndonjë hetim të mundshëm, por nuk rekomandon publikimin e tyre. Megjithatë, gazeta mëson se dy ndeshje janë nga Kupa e Shqipërisë dhe njëra sfidë është luajtur në muajin shkurt, në ndeshjet e kthimit për çerekfinalet e turneut. Ndeshjet e tjera janë në kampionat dhe në 6 prej tyre është e përfshirë Lushnja. Koincidencë? Vështirë, sepse janë thuajse 75% e ndeshjeve të dyshuara, por këtu mund të përdoret një logjikë e thjeshtë: sidomos në muajt e fundit Lushnja ka qenë një pre e lehtë, kushdo që merr vesh nga bastet dhe Superiorja, e ka pasur të lehtë të vërë baste ndaj Lushnjës së dorëzuar. Këtë gjë e kanë marrë parasysh edhe në tregun e basteve, sepse kundër vendit të fundit në renditje është e qartë që të gjithë janë favoritë dhe kuotat rregullohen shumë shpejt. Megjithatë, ka ndeshje ku anomalitë kanë qenë të mëdha dhe kanë vazhduar gjatë gjithë ndeshjes, si në rastin e ndeshjes Partizani-Lushnja 6-0 më 28 shkurt 2018, ku tregu i basteve priste gjithë kohën 4 gola e lart, edhe pse goli i parë erdhi në minutën e 28-të, ndërkohë që u shënuan tre gola në pjesën e parë dhe pati gola në limitet e të dy pjesëve. Në këtë rast, dyshimi është i madh që pa qenë nevoja të kishte bashkëpunim në fushë, Lushnja ose lojtarë të veçantë të mendonin të përfitonin financiarisht.