Trajneri Kristian Panuçi foli pas ndeshjes për RTSH: “Jam shumë i kënaqur me fitoren dhe mënyrën se si u sollëm në fushën e lojës. Vuajtëm pas daljes së Memushajt me të kuqe”
Afrimet e reja më pëlqyen Trajneri Kristian Panuçi ka folur pas fitores me Turqinë. Numri një i stolit është shfaqur shumë entuziast pas fitores me turqit. Më shumë se sa për vetë fitoren, italianin e ka kënaqur loja e ekipit dhe mënyra se si u soll ekipi në fushën e lojës. Ai pranon se skuadra ka shumë gjëra për të përmirësuar, sidomos në mbrojtje ku pësojmë gola të evitueshëm.
– Sa vlera ka fitorja me Turqinë?
– Mendoj se ishte ndeshje e vërtetë, pasi luajtëm deri në momentin që Memushaj doli me të kuq. Një ndeshje të madhe me futboll të lartë dhe cilësi, pasi kemi punuar gjatë javës. Lojtarët u shprehen mjaft mirë në fushën e lojës dhe zbatuan skemat që menduam.
– Në mbrojtje tregohemi naivë në momentin që pësojmë, si mund të përmirësohemi?
– Jemi duke punuar, kemi marrë dy gola të evitueshëm. Duhet të punojmë më shumë, por edhe Turqia ka lojtarë cilësorë. Duhet ta përmendim edhe këtë.
– U shfaqët shumë nervoz në kartonin e kuq të Memushajt, e kishit me lojtarin, apo arbitrin?
– Natyrisht për sa i përket kartonit të kuqi, nuk i lejoj asnjë futbollisti të bëjë veprime të tilla. Më vjen keq, pasi po luanim shumë mirë deri atëherë.
– A jeni i lumtur me afrimet e reja në Kombëtare?
– Jam i lumtur me prurjet e reja. Janë futbollistë që luajtën për herë të parë me ekipin tonë dhe natyrisht kanë emocionet e tyre. Kanë akoma gjëra për të përmirësuar, por janë pjesë e rëndësishme e ekipit tonë.
– E mbyllët mirë 2017-ën, çfarë prisni në 2018?
– Nuk është fitorja më e rëndësishme , por mënyra se si e morën. Treguam futboll shumë të mirë dhe cilësor, një super ndeshje në pjesën e parë, por vuajtëm në pjesën e dytë. Mënyra se si e arritëm ishte më e rëndësishme se fitorja. Jam shumë i lumtur për mënyrën se si u paraqitën djemtë. Kishim punuar fort gjatë javës dhe u shpërblyem. Kemi shumë për të punuar dhe të fitojmë më shumë qetësi dhe seriozitet. Nuk e di se sa vite kishte Shqipëria që kishte fituar me Turqinë, më vjen mirë që e arritëm.
– A do ta shihni Italinë? Besoni se do të jetë pjesë e Botërorit?
– Jam italian dhe jam krenar për këtë. Do të mundohem ta shoh përmes telefonit, shpresoj të fitojmë.