Ndeshja më e çmendur në botë: “Superclasico” me katër zëvendësime dhe rregulla unike

Pritjes po i vjen fundi. Për pak orë do të mësohet se cila ndërmjet River Plejt dhe Boka Zhunjors do të festojë. Humbësit do të bënin mirë të largoheshin nga qyteti. Në 90 minutat e finales së kthimit në Kupën Libertadores luhet gjithçka.

Kjo edhe për faktin se në finalen e këtij turneu, nuk ekziston rregulli i golit në fushën kundërshtare. Për rrjedhojë, pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, “Superclasico” nis në barazi absolute. Riverit nuk i shërbejnë dy golat e shënuar në “Bombonera”. Ajo që do të zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin “Monumental”, është një sfidë e gjitha për t’u luajtur dhe… për t’u fituar.

Një ndeshje, e cila përveç rivalitetit të jashtëzakonshëm ndërmjet dy skuadrave, bëhet edhe më interesante nga rregullat e veçanta. Duke ndjekur orientimet e FIFA-s, për ndryshimet e eksperimentuara në Olimpiadën e Rios, në rast se ndeshja shkon me shtesa, River dhe Boka do të kenë mundësinë të kryejnë edhe zëvendësimin e katërt.

Jo vetëm në rast dëmtimesh, ashtu siç u mendua fillimisht, por edhe për zgjedhje taktike të trajnerëve. Në këtë mënyrë, Gajardo dhe Skeloto do të kenë mundësi të modifikojnë skemat e lojës, me aktivizimin e një lojtari ekstra nga stoli. Natyrisht, që nëse zëvendësimi i katërt do të rezultonte vendimtar në finale, ky do të ishte një moment historik për Kupën Libertadores.

Risitë lidhen edhe me goditjet e penalltive. Për të vlerësuar ekzekutimet nga pika e bardhë do të shfrytëzohet sitemi VAR. Arbitri Kunja nuk do të ketë vetëm ndihmën e asistentit, i cili pozicionohet pranë portës, por edhe të pamjeve filmike. Ato do të vendosin nëse topi ka kaluar vijën, por edhe për raste të tjera të diskutueshme.

Teknologjia do të vlerësojë nisjen e lojtarëve përpara goditjes së topit. Nëse dikush ndalon papritur, ose e prek dy herë topin, atëherë penalltia do të përsëritet. I njëjti arsyetim do të vlejë edhe për portierët, për të evituar largimin e tyre nga vija e portës. Situata të cilat rrezikojnë të shkaktojnë tension. Megjithatë, kjo është sfida më e çmendur në botë dhe gjithçka mund të ndodhë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *