Për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pasditja e djeshme ka qenë e veçantë, pasi me një fanellë celebruese, përkrah kapitenit Marek Hamsik, ka festuar 100 ndeshjet me axurrët, teksa është në sezonin e tij të tretë në “San Paolo”. Shkodrani është kursyer nga trajneri Sarri, që ka preferuar ta lërë në stol dhe ta ketë gati për Sitin, ditën e mërkurë sa i përket ndeshjes Champions League, e rëndësishme për fatet e grupit.
Në vend të tij ka luajtur Maxhio, teksa në fund të fitores 3-1 ndaj Sasuolos, pikërisht mbrojtësi shqiptar zbriti në fushë për të kryer seancë stërvitore, bashkë me disa të tjerë. “Curva B” e Napolit, pra tifozeria, që ndodhej aty, i ka bërtitur: “Na paguaj birrat, na qeras me ndonjë pije”, duke iu referuar “ditëlindjes” me 100 ndeshje me Napolin.