Armend Dallku prej vitesh të tëra ka mbajtur veshur fanellën kuqezi, duke numëruar plot 64 paraqitje me Kombëtaren. Për 8 vite ish-futbollisti ka qenë një nga të përhershmit në prapavijën e Shqipërisë, megjithëse gjatë karrierës së tij nuk arriti të përjetonte emocionet e një kompeticioni madhor si Europiani apo Botërori. Tashëm i gjendur në rolin e trajnerit te Prishtina, Dallku duket se po bën mirë në këtë rol të ri dhe renditet vetëm 2 pikë pas kreut të kampionatit.
Në një intervistë për emisionin “Fax Sport”, ish-mbrojtësi kujton edhe njëherë kohën e tij me kuqezinjtë, ndërsa shprehet se e ka pasur për krenari të djersinte për fanellën e Shqipërisë. Gjithashtu nuk mund të lihet pa u përmendur edhe cështja e dy ekipeve përfaqësuese dhe dyzimet që tashmë kanë futbollistët për zgjedhjen e Shqipërisë apo Kosovës.
“A më mungon Shqipëria? Normalisht. Duke qenë se për afro 10 vite kam shërbyer për ekipin kombëtar edhe jam munduar gjithmonë, pavarësisht se kam luajtur në një shtet shumë të largët siç është Ukraina dhe e kam pasur shumë të vështirë. Ndonjëherë më duhej të ndërroja 3 avionë për të ardhur në Shqipëri. Por gjithmonë e kam ndjerë detyrim kur kemi marrë ftesën e Kombëtares. Normalisht që më mungon. I ndjek gjithmonë ndeshjet e Kombëtares dhe e kam shprehur gjithmonë që jam tifozi më i flaktë i këtij ekipi.
Donim apo nuk donim situata ka ndryshuar. Nëse më parë ka qenë për të gjithë ne një ëndërr, të cilën unë e kam realizuar, vetë fakti që Kosova është pranuar në instancat më të larta të futbollit i jep mundësinë lojtarëve kosovarë që të luajnë për Kosovën. Kështu që gjithmonë duhet t’i respektojmë ato zgjedhje të secilit futbollist. Kemi shumë futbollistë kosovarë që kanë pranuar të luajnë për Shqipërinë dhe unë kam qenë një zë shumë i fuqishëm mbrojtës i tyre, sepse kemi shprehje jo të mirë karshi tyre.
Duhet t’i japim mundësinë futbollistëve që ata vetë të zgjedhin se për cilën Kombatare të luajnë. Gjatë luftës kanë emigruar shumë familje kosovare dhe fëmijët e tyre nëse kanë ikur në një moshë të re nga Kosova, tani janë diku te 20-21 vjeç e kanë një parparësi kundrejt kosovës. Por nuk do të ishte çudi që familjet të marrin një vendim që të luajnë për Shqipërinë. Gjithmonë duke menduar për ekipin në radhë të parë dhe më pas edhe për lojtarin që të rritet profesionalisht”, është shprehur Armend Dallku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/