Lajmet e këqija nuk kanë të sosur në këtë vit të mbrapshtë. Sporti shqiptar është sërish në zi, teksa një ish-lojtar i njohur është ndarë nga jeta ditën e sotme. Bëhet fjalë për Sabri Ballën, i cili ishte një prodhim i akademisë së Partizanit, fanellën e të cilëve e ka përfaqësuar denjësisht. Gjithashtu ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së moshave.
Ky lajm i hidhur ka prekur edhe kreun e FSHF-së, që përdor llogarinë e tij zyrtare në “Facebook“ për të shprehur ngushëllimin e tij për ndarjen nga jeta të Ballës. Armand Duka shkruan se humbja e tij ka lënë tashmë pas një boshllëk, si dhe vlerëson kontributin e madh që ka dhënë në fushë
“Në këto ditë të vështira, lajmi për një tjetër humbje, na trishton sërish. Humbja e Sabri Ballës, ish-futbollistit të Partizanit na ka krjuar një tjetër boshllëk. Ai dha një kontribut të vyer në radhët e kësaj skuadre dhe ekipeve kombëtare të moshave, duke mbetur në mendjet e tifozëve. Nuk ju shkëput futbollit, derisa fati e ndau me të, përjetësisht. Qoftë i parajsës!“, shkruan Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/