Naser Çadli! Martinez fitoi bastin dhe tani qesh ai, jo Naingolan!

Anton Cicani

E keni parasysh kur ju vendosni për një bast të çmendur dhe të gjithë, teksa ju shohin skedinën, fillojnë të tallen, duke iu thënë “je i çmendur, ku ka shanse kjo gjë!” ose “gabim fare, hodhe paratë kot”… E pra, ndonjëherë, thjesht për bindje personale, thjesht sepse ashtu e ndjen se do të bëhet më mirë, zgjedh atë që ndoshta për sytë e të gjithëve është e gabuar, por për sytë e tu jo. E ke parë, riparë dhe në fund vendosur. Pa u frikësuar…

Kështu, Roberto Martinez, i bindur për atë që kishte bërë, la në shtëpi “problematikun” Naingolan duke thërritur në vend të tij një punëtor, njeri pa fjalë dhe njeri të sakrificës, për grupin dhe vetëm për grupin, si Naser Çadli..

Në Belgjikë, gazetarët provuan ta vendosnin në vështirësi me pyetje të tipit “pa Naingolanin sikur nuk ka më harmoni, jeni bërë të mërzitsshëm”, teksa ai u përgjigj “më pëlqen të jemi të mërzitsshëm, do të thotë se po punojmë mirë”.

E pra, zotërinj, tashmë Martinez mund të shkojë të “tërheqë fitimet” e skedinës së tij, sepse pikërisht zgjedhja e tij e shumëkritikuar, Çadli, solli golin që i dha çerekfinalet Belgjikës.

I aktivizuar në pjesën e dytë, mesfushori i Uest Bromuiç, ish i Totenhamit, do të vendoste me golin e tij fitoren 3-2 me përmbysje të Belgjikës ndaj Japonisë.

Hero kombëtar futbollisti 29 vjeçar, që mund të luajë si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë.

Një histori e bukur për një futbollist që, me origjinë nga Maroku, 7 vjet më parë zgjodhi të përfaqësonte Belgjikën, ashtu si edhe shumë të tjerë, duke qenë se “Djajtë e kuq” janë një konglomerat origjinash të ndryshme, me Adnan Januzajn që madje u kërkua edhe nga Turqia, veç Shqipërisë dhe Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *