U luajtën sot pasdite një pjesë e ndeshjeve të javës së 22-të në Serinë A. Napoli mundi 3-1 Bolonjën, duke vuajtur jo pak, por ka fituar dhe është kthyer në krye të Serisë A, pas fitores së Juventusit dje, që e parakaloi përkohësisht. Sërish Dris Mertens vendimtar, me dy gola, ndërsa Bolonja kishte shënuar që në fillim me gol nga Palacio, para se Mbaje të shënonte autogol dhe të niste përmbysja e Napolit.
Ndeshje e mirë e Elseid Hysajt, i cili ishte si gjithnjë konstant në krahun e djathtë, edhe pse mbrojtja e Napolit nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Nota 6 deri në 6,5 për mbrojtësin kuqezi, i cili është shqiptari i vetëm që buzëqesh nga pasditja. Gjimshiti dhe Memushaj ishin në formacion, por Benevento u mund 3-0 në Torino dhe gjithçka u mbyll shumë shpejt, sepse portieri Belec doli me karton të kuq në minutën e 34-t dhe aty mbaroi ndeshja.
Krotone barazoi 1-1 në fushën e vet ndaj Kaljarit dhe Arlind Ajeti e ndoqi sërish ndeshjen nga stoli.