Ka përfunduar sot Kampionati Europian për Shqipërinë. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin e ngushtë 0-1 nga Spanja. Iberikët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 13 me anë të Ferran Torresit, i cili shënoi golin e vetëm të takimit. Por pavarësisht humbjes, Shqipëria pati rastet e veta, duke i shkuar pranë barazimit. Megjithëse largohemi nga Kampionati Europian, kuqezinjtë duhet ta mbajnë kokën lart, pasi loja premton siguri për të ardhmen. Më poshtë ndiqni intervistat e protagonistëve për “TV Klan”-in.
Merino: “Na vjen keq, sepse kishit një ekip të mirë. Luajtët një lojë të mrekullueshme kundër Italisë dhe kundër Kroacisë. E dinim që do të ishte e vështirë. Është skuadër që vrapon shumë dhe e tregoi këtë në pjesën e dytë. Jemi të lumtur, sepse i fituam të treja ndeshjet. Nuk kemi frikë nga askush. Do të japim më të mirën. Kemi besim në çfarë mund të bëjmë. Kemi edhe një dhomë zhveshjesh shumë të mirë, jo në nivel lojtarësh, por si qenie njerëzore”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/