“Na hedhin në gjyq pastaj, thonë jam infektuar në Vlorë”! Idrizi kërkesë FSHF-së: Nuk e zbres ekipi në fushë

FSHF po përpiqet të rikthejë sa më shpejt kampionatin aty ku i takon, në fushën e lojës dhe një vullnet të tillë kanë shprehur edhe pjesa më e madhe e klubeve. Këmbëngulja e tyre mori edhe përgjigjen e shtetit, duke hedhur hapin e parë drejt hapjes së dyerve për futbollin. Por duket se jo të gjithë e dëshirojnë rinisjen e kampionatit nga aty ku e kanë lënë. Është pikërisht Administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili është kundër rikthimit në fushë.

Idrizi ka qenë i ftuar në “Ora TV”, ku shprehet se i druhet ligjit të vendosur nga qeveria shqiptare, sipas të cilit dënohen penalisht personat që infektojnë të tjerët me virusin Covid-19. E nëse një gjë e tillë ndodh me futbollistët, administratori vlonjatëve kërkon siguri se nuk do i duhet të përgjigjet para ligjit, në të kundërt nuk do të fusë ekipin e tij në fushë nëse kampionati rinis.

“Futbolli është gati. Por siç mendohet të kthehet në Evropë ne nuk jemi gati. Në rastin më konkret në Shqipëri, ligji dënon ata që e transmetojnë pa vetëdije. Janë disa situata që nuk janë të qartësuara.  Në Gjermani dhe Britani është degë e ekonomisë. Këtu në Shqipëri nuk është pjesë e saj. Qytetarët përmes taksave financojnë skuadrat. Ne nuk kemi industri të futbollit.

Në thelb, Flamurtari nuk është mirë në kampionat. Ne kemi bërë një kampionat të shëmtuar. Ne kemi probleme të mëdha që lidhen drejtëpërdrejtë me investitorët. Fondet e Flamurtarit janë të bllokuara. Ne nuk zbresim në fushë nëse FSHF nuk mban përgjegjësi për transmetimin e sëmundjes. Na hedhin në gjyq pasi një lojtar mund të thotë që jam infektuar gjatë ndeshjes që kemi zhvilluar në Vlorë. Këta e organizojnë kampionatin dhe këta duhet të mbajnë përgjegjësinë. Unë kam qenë i pari që kam dashur ndërprerjen e kampionatit“, ka deklaruar Sinan Idrizi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *