Në vitin 2018 mbante veshur fanellën e Laçit në Superiore, ndërsa sot, 4 vite më pas, do të veshë atë të Granadës. Transferimi në La Liga ishte është hapi më i madh në karrierën e Myrto Uzunit, që tashmë po i tregon të gjithëve se kur diçka e dëshiron vërtetë, nuk ka asgjë që mund të të ndalë. Sulmuesi nga Berati ka firmosur deri në verën e vitit 2025 dhe nga nesër e tutje e pret testi i së vërtetës.
La Liga është mundësia e artë e Myrto Uzunit për të shuar edhe atë pjesë të vogël kritike, që kampionatin hungarez e cilësonin si një ligë të një niveli jo të lartë. Në Budapest 26-vjeçari fitoi trofeun e parë në karrierë, si dhe mori një eksperiencë të madhe me pjesëmarrjen në grupet e Champions League-s dhe Europa League-s, të cilën do i duhet ta vërë në praktikë në kampionatin spanjoll.
Të luajturit në një nga 5 ligat më të forta të Europës është edhe mundësia ideale për të vr.arë frikën para portës në stadiumet e mëdha të Spanjës. Një ngërç ky që prej kohësh po e pengon në Kombëtaren shqiptare. Sigurisht që të zbriturit në fushën e “Camp Nou”-t apo “Santiago Bernabeut” përballë mbrojtësave e portierëve më të mirë të botës do i japë një dorë të mirë në rritjen e mëtejshme si futbollist, nga e cila padyshim që do të fitojë edhe Shqipëria. Nga nesër, gjithë sytë e tifozëve shqiptarë do të kthehen nga Spanja, Uzunit i duhet të kalojë provën e jetës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/