Reali i Madridit nuk e ka ulur ritmin në kampionat, pavarësisht faktit se objektivi i titullit kampion është arritur. Gjigantët spanjollë kanë shkatërruar lehtësisht me shifrat 0-4 Granadën në transfertë. Ançeloti zgjodhi të linte në stol një pjesë të mirë të lojtarëve titullarë, por vetë futbollistët vërtetuan në fushë se te Reali nuk mund të ekzistojnë një ndarje titullar apo lojtar stoli.
Fran Garsia zhbllokoi rezultatin në minutën e 38, ndërsa në minutën e 2-të të shtesës së pjesës së parë, Arda Gyleri dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë të takimit ishte Brahim Diazi ai që me dy golat e tij (49’, 58’) vulosi shifrat përfundimtare në 0-4. Titullar në këtë ndeshje ishte edhe Myrto Uzuni, i cili qendroi në fushë për 80 minuta. Sulmuesi shqiptar pati dy raste në këtë sfidë, por nuk ia doli të ndëshkonte kampionët e La Ligës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/