Mesfushori kryeqytetas thekson se derisa titulli të sigurohet matematikisht, ekipi do të japë gjithçka në fushë. Vlerëson Laçin si një kundërshtar mjaft të vështirë
Leonard Trebicka
Skënderbeut i duhet një fitore dhe një barazim në pesë javët e mbetura për t’u shpallur kampion. Humbi shansin e parë për të qenë matematikisht kampion në ndeshjen me Kukësin, por nuk ka panik në kampin korçar, sepse trofeu është në dorë të tyre. Gjergji Muzaka mendon se ndeshjet e mbetura janë shumë të vështira, por nuk e vë aspak në diskutim titullin. Për “Sport Ekspres”, Muzaka ka komentuar së pari humbjen në shtëpi me Kukësin, që shtyu festën e titullit, transfertën e Laçit dhe pjesën e mbetur të kampionatit.
HUMBJA ME KUKËSIN – Në Korçë po flitet ende për humbjen me Kukësin, ku Skënderbeu kishte mundësinë ta mbyllte matematikisht titullin kampion. Të gjithë gjykojnë se ne atë ndeshje, më shumë se për fushën, u mendua për festën, ndaj dhe erdhi humbja e parë shtëpiake në kampionat. Për atë ndeshje, Muzaka është shprehur: “Dua të them se për pjesën më të madhe të ndeshjes jemi të kënaqur, për lojën që zhvilluam. E administruam më së miri lojën dhe krijuam raste, por ndeshja u vendos nga një episod. Me një goditje dënimi na mundi Kukësi. Gjithsesi, duhet të jemi të gjithë të kënaqur me atë që dha skuadra atë ditë në fushë. Mendoj se ajo humbje është harruar dhe tani duhet të shohim ndeshjet e tjera për të mbyllur sa më parë matematikisht çështjen e titullit kampion.”
TIFOZËT – Edhe për Gjergji Muzakën, ashtu si për gjithë futbollistët e tjerë të Skënderbeut, keqardhja më e madhe është që festa do të ishte më e bukur para tifozëve të Skënderbeut. “Në fund të ndeshjes u zhgënjyem nga fakti që tifozët dhe gjithë Korça ishin përgatitur për të festuar titullin kampion pikërisht atë ditë, përballë një kundërshtari që ka qenë rivali ynë dhe na ka ndjekur nga pas. Por festa thjesht është shtyrë për pak ditë dhe nuk ka vend për shqetësim. Tani duhet të mendojmë seriozisht për të gjitha takimet që kanë mbetur, në mënyrë që të sigurojmë sa më parë trofeun”.
LAÇI – Të shtunën Skënderbeu do të udhëtojë për në Laç, ku do të përballet me skuadrën që do të diskutojë Kupën e Shqipërisë në finalen e 27 majit. Për këtë sfidë, Muzaka ka theksuar “Nuk është se do të shikojmë një Skënderbe ndryshe të shtunën në Laç. Skënderbeu ka qenë i njëjtë në lojëra që nga fillimi dhe deri në këtë moment. Ne shpresojmë që ndryshe nga ndeshja e fundit të jetë vetëm rezultati, pra të jetë në favorin tonë. Skënderbeu ka dhënë gjithmonë më të mirën dhe kështu do të veprojë edhe këtë fundjavë në stadiumin e kurbinasve. Ndeshja në Laç është e vështirë, si çdo ndeshje tjetër. Edhe në Lushnjë do të jetë e vështirë, jemi të bindur për këtë. Deri në momentin që të sigurojmë matematikisht titullin, për ne çdo ndeshje është e vështirë. Po le t’i marrim një nga një ato”, – ka përfunduar mesfushori Gjergji Muzaka.